Humbi jetën në aksident në Shqipëri biznesmeni kinez ,themeluesi i resortit të njohur të skive

Biznesmeni i njohur kinez Li Jianhong ka humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur në Shqipëri. Mediat kineze raportojnë se 60-vjeçari, i cili ishte kryetar dhe president i “Xinjiang Grand Scape Group” si edhe themelues i resortit të famshëm të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi, ndodhej në një udhëtim pune në vendin tonë.

Aksidenti ndodhi në aksin kombëtar Librazhd-Elbasan, pranë zonës së Xibrakës. Përplasja la të vdekur Li Jianhong, ndërsa gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur. Pas ngjarjes, policia arrestoi drejtuesin 26-vjeçar të automjetit tjetër, nën akuzën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Li Jianhong ishte një nga figurat më të njohura të biznesit në rajonin autonom të Xinjiang-ut. Ai themeloi kompaninë “Xinjiang Grand Scape Group”, e cila operon në sektorët e telekomunikacionit, turizmit, investimeve dhe menaxhimit të aseteve. Grupi u kthye në një nga ndërmarrjet private më të rëndësishme në rajon, me mijëra të punësuar dhe qindra milionë dollarë qarkullim.

Në vitin 2003, ai themeloi “Silkroad Mountain Resort”, një nga resortet më të mëdha të skive në Kinë, që ka pritur edhe aktivitete kombëtare sportive dimërore.

Përveç biznesit, Li ishte i apasionuar pas alpinizmit dhe skive. Ai arriti të përfundonte “Grand Slam-in e Eksploruesit”, duke ngjitur shtatë majat më të larta në botë dhe duke realizuar ekspedita në Polin e Veriut dhe të Jugut, një arritje e rrallë për eksploruesit aziatikë.