Teknologjia ne rruge,mbi 26 mijë gjoba dhe 48 të arrestuar brenda javës

Kontrollet në rrugët e vendit janë shtuar ndjeshëm falë përdorimit të sistemeve inteligjente dhe dronëve, të cilët po monitorojnë në kohë reale sjelljen e drejtuesve të mjeteve, edhe pa praninë e policisë në terren.

Këto mjete teknologjike po përdoren në të gjitha akset kryesore, duke evidentuar shkelje si tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, parkimet e parregullta dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet sidomos gjatë fundjavës dhe në rrugët që çojnë drejt zonave turistike, ku qarkullimi është më i dendur. Në këto aksione përdoren radarë, dronë dhe pajisje inteligjente për të kapur shkeljet në kohë reale.

Gjatë javës së fundit janë vendosur 26 116 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, përfshirë mosvendosjen e rripit të sigurimit, mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, parakalimet e gabuara dhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit.

Po ashtu, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, ku 26 prej tyre për drejtim në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim pa leje drejtimi.

Në kryeqytet janë larguar gjithashtu 258 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, të cilat pengonin qarkullimin dhe aksesin e mjeteve të emergjencës.

Autoritetet theksojnë se ky sistem i ri kontrolli synon rritjen e sigurisë rrugore dhe reduktimin e aksidenteve në vend.