Mbi 670 mijë shqiptarë punojnë në “punë krahu”, bujqësia mban peshën kryesore

Të dhënat e INSTAT tregojnë se 57.1% e të punësuarve në Shqipëri janë të angazhuar në sektorë që lidhen kryesisht me punën fizike, si bujqësia, prodhimi, ndërtimi dhe industria.

Peshën më të madhe e mban bujqësia me 36.7% të punësimit total, e ndjekur nga prodhimi me 10.1% dhe ndërtimi me 7.9%. Ndërsa 2.4% e të punësuarve janë të angazhuar në industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizim me ujë.

Në total, nga rreth 1.17 milionë të punësuar në vend, afro 672 mijë persona punojnë në sektorë që konsiderohen kryesisht “punë krahu”.

Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve përfaqëson 42.8% të punësimit në vend, duke mbetur një tjetër shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo vend pune në këta sektorë është domosdoshmërisht fizik, pasi përfshihen edhe role administrative, teknike dhe menaxheriale. Por në tërësi, struktura e tregut të punës tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet kryesisht te sektorët tradicionalë dhe puna fizike.