Euro në rënie rekord ndaj lekut, humbasin emigrantët dhe eksportuesit

Kursi i këmbimit vijon të favorizojë lekun, ndërsa euro ka zbritur në nivelet më të ulëta historike në raport me monedhën shqiptare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro është këmbyer deri në 95.50 lekë, duke thyer prej kohësh pragun psikologjik të 100 lekëve. Që nga fillimi i prillit, monedha europiane ka qëndruar mes 95 dhe 96 lekëve.

Rënia e euros prek drejtpërdrejt qytetarët që i kanë të ardhurat në euro, por shpenzimet në lekë, pasi nga këmbimi marrin më pak para se më parë. Nëse dikur 1 euro këmbehej me 120 lekë, sot ajo vlen rreth 95 lekë.

Ndër më të goditurit janë bizneset eksportuese, si industria fason dhe bujqësia, të cilat të ardhurat i sigurojnë në euro, ndërsa kostot i kanë në lekë.

Nga ana tjetër, përfitues janë importuesit, qytetarët me kredi në euro dhe shteti, pasi forcimi i lekut ul kostot e importit dhe të shlyerjes së borxhit publik në valutë.

Për të stabilizuar tregun valutor dhe për të rritur rezervën valutore, Banka e Shqipërisë bleu mbi 1 miliard euro gjatë vitit 2025.