Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për dosjen “Partizani” është shoqëruar me tensione dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
I thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, Balla u vu përballë pyetjeve të avokatëve mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, të cilët kërkuan sqarime mbi mënyrën e sigurimit të provave dhe bazën e kallëzimit.
Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, ngriti pikëpyetje nëse kallëzimi ishte bërë si deputet apo si qytetar dhe nëse ishte shoqëruar me prova konkrete. Balla u përgjigj se kishte bashkëngjitur të gjitha materialet që dispononte, duke theksuar se informacionet i kishte siguruar nga qytetarë, media dhe burime të tjera, si dhe përmes të drejtës së tij ligjore për të kërkuar informacion nga institucionet.
I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes, ai deklaroi se nuk i kujtohej dhe se do t’i referohej kallëzimit për verifikim. Ndërsa për mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, fillimisht tha se e kishte paraqitur vetë në prokurori, por më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar edhe nga një punonjës i Kuvendit.
“Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim,” u shpreh Balla, ndërsa u tërhoq në vëmendje nga trupi gjykues për të respektuar rolin e dëshmitarit dhe për të shmangur komentet.
Gjatë seancës, u ngritën edhe çështje që lidhen me dokumente të mundshme mbi marrëveshje ndërkombëtare dhe procesin e shpronësimeve. Balla tha se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për disa referenca të viteve ’90 u shpreh se ishin marrë nga burime publike.
Në përballjen me avokaten e Berishës, Klodiana Gjyzari, ai deklaroi se objektet në fjalë ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por sipas tij ishin privatizuar me një vlerë shumë të ulët. “Nuk jam ekspert, por mendoj se vlera duhet të ketë qenë ndoshta 10 herë më e lartë,” tha Balla.
Ndërkohë, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush kishte përfituar nga procesi i privatizimit. Balla u përgjigj se, sipas tij, përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me të, duke përmendur edhe dyshime për ndikim për shkak të lidhjeve familjare me ish-kryeministrin.
“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” përfundoi ai










