Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku rezulton se në të gjithë vendin janë regjistruar 27,049 procedime penale.
Sipas raportit të prokurorise ,numrin më të lartë të procedimeve e ka Prokuroria e Tiranës me 9,904 raste, e ndjekur nga Durrësi me 2,573, Korça me 2,023, Shkodra me 1,976, Fieri me 1,915 dhe Vlora me 1,897 procedime.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025, prokurorët kanë përdorur përgjimin e komunikimeve elektronike si mjet prove në 356 procedime penale gjatë fazës së hetimeve paraprake.
Raporti tregon se janë realizuar përgjime për 1,771 pajisje fundore, në përdorim të 1,642 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi.
Në total janë ekzekutuar 822 vendime përgjimi të autorizuara nga gjykata dhe 406 urdhra apo autorizime të prokurorëve.
Në rekomandimet për vitin në vijim, Prokuroria e Përgjithshme vendos theksin te forcimi i kapaciteteve profesionale, hetimet financiare e kibernetike, përmirësimi i menaxhimit të çështjeve, përdorimi i teknologjisë dhe krijimi i task-forcave për hetimin e çështjeve komplekse si krimi i organizuar dhe krimet financiare.










