Tre vite pas shpalljes së fituesit, drejt firmosjes koncesioni për aksin Kashar–Lekaj

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të nënshkruajë brenda 2-3 javësh kontratën koncesionare për aksin Kashar–Lekaj, pjesë e autostradës Milot–Fier. Ministri Enea Karakaçi bëri të ditur se projekti ndodhet në fazën e oponencës teknike dhe pas firmosjes do të nisë zbatimi i punimeve.

Fitues i garës është një bashkim prej 7 operatorësh: “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”, me një investim të parashikuar prej rreth 474.8 milionë euro pa TVSH.

Segmenti do të ketë gjatësi totale 33.6 kilometra, ndërsa objekt i koncesionit janë 26.6 kilometra, pasi 7 kilometra përfshihen në bypass-in e Tiranës, i cili po ndërtohet veçmas. Koncesioni do të zgjasë 35 vite.

Autostrada Milot–Fier, me gjatësi totale 114 kilometra, është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Segmenti Thumanë–Kashar është përfunduar dhe është hapur për qarkullim, ndërsa për lotet Milot–Thumanë dhe Lekaj–Fier pritet gjithashtu nisja e punimeve. Bypass-i i Tiranës po financohet nga buxheti i shtetit dhe punimet kanë nisur