Lëvizje të reja në Policinë e Shtetit, emërime në disa drejtori kyçe

Këtë të mërkurë kanë vijuar lëvizjet dhe emërimet në disa drejtori dhe struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit, në kuadër të riorganizimeve të brendshme.

Në sektorin e hetimit të krimit ekonomik është emëruar Florjan Rrasa, i cili do të mbajë një nga postet kyçe në luftën kundër kriminalitetit financiar.

Ndryshime janë bërë edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku Taulant Gjoka është emëruar zëvendësdrejtor për rendin.

Ndërkohë, Edvin Peçi është larguar nga drejtimi i Komisariatit nr. 6 në Tiranë, ndërsa lëvizje janë regjistruar edhe në sektorin e Antidrogës në Policinë e Tiranës.

Në strukturat kufitare, Arbër Zemani është emëruar Drejtor i Kufirit në Vlorë, ndërsa drejtori i mëparshëm është transferuar si specialist në Drejtorinë e Antiterrorit.

Në Shkodër, drejtimin e Kufirit e ka marrë Agim Basha, ndërsa në Durrës është emëruar Altin Lila. Ish-drejtori i Kufirit në Durrës, Ermal Lila, është transferuar si specialist në Policinë e Shtetit.

Këto ndryshime vijnë në kuadër të ristrukturimeve që po vijojnë në disa nivele të Policisë së Shtetit.