Dy fëmijë humbin jetën nga mbytja në det ne plazhin e Tales

Screenshot

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në bregdetin e Lezhës, ku dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det.

Sipas informacioneve paraprake, tragjedia ka ndodhur në një plazh publik në zonën e Tales. Të miturit mësohet se kanë qenë duke u larë në det kur janë përballur me rryma të forta ose dallgë, duke mos arritur të dalin në breg.

Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga autoritetet.

Meloni i përgjigjet Trump: Pretendimi për foton është i sajuar, Italia nuk lyp kurrë

Screenshot

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ndaj presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit ironizoi duke thënë se ajo i kishte kërkuar me ngulm të bënin një foto gjatë Samitit të G7-ës.

Në një video të publikuar në rrjetin social X, Meloni i cilësoi komentet e Trump si “të sajuara” dhe kritikoi mënyrën se si presidenti amerikan sillet me aleatët e SHBA-ve.

“Disa gjëra meritojnë një përgjigje të menjëhershme. Deklaratat e Donald Trump janë të sajuara. Jam e shokuar. Nuk e di pse sillet presidenti i SHBA në këtë mënyrë me aleatët e tij. Është për të ardhur keq që nuk ka të njëjtën vendosmëri me armiqtë e Perëndimit dhe të SHBA”, u shpreh Meloni.

Në fund të reagimit të saj, kryeministrja italiane theksoi: “Ai duhet të kujtojë një gjë: unë dhe Italia nuk lypim kurrë.”

Rrugë e re 22 km ,Roskovec–Lushnjë, hapet tenderi nga ARRSH

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur tenderin për studimin dhe projektimin e një aksi të ri rrugor që do të lidhë Roskovecin me Lushnjën, një projekt që synon përmirësimin e qarkullimit në ultësirën perëndimore.

Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i procedurës është rreth 24 milionë lekë dhe parashikon hartimin e projektit të detajuar për një rrugë të re me gjatësi afro 22 kilometra.

Traseja do të nisë pranë qytetit të Roskovecit, në aksin Poshnjë–Roskovec–Fier, dhe do të përfundojë pranë Lushnjës, në segmentin Berat–Lushnjë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një ure të re mbi lumin Seman, që ndan territorin e dy bashkive.

Sipas termave të referencës, aksi do të klasifikohet si rrugë ndërurbane dytësore e kategorisë C3 dhe do të projektohet për të lehtësuar trafikun, për të rritur sigurinë rrugore dhe për të krijuar një lidhje më të shpejtë mes dy qyteteve.

ARRSH kërkon që gjatë studimit të analizohen të paktën dy variante të trasesë. Projekti do të përfshijë gjithashtu nyje lidhëse, sinjalistikë rrugore, ndriçim, gjelbërim dhe rrugë dytësore për aksesin e komuniteteve lokale.

Sipas autoritetit rrugor, një nga objektivat kryesorë të investimit është shmangia e trafikut nga qendrat e banuara të Roskovecit dhe Lushnjës, duke ulur ngarkesën në zonat urbane dhe duke përmirësuar sigurinë për automjetet dhe këmbësorët.

Fluks i lartë në Kapshticë, mbi 21 mijë qytetarë kaluan kufirin në 5 ditë

Screenshot

Pika kufitare e Kapshticës po përballet me rritje të ndjeshme të lëvizjeve, teksa sezoni veror ka shtuar hyrje-daljet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë pesë ditëve të fundit kanë kaluar mbi 21 mijë qytetarë dhe më shumë se 8400 automjete nëpërmjet kësaj pike kufitare.

Për të menaxhuar fluksin, autoritetet doganore kanë marrë masa organizative për përshpejtimin e procedurave dhe shmangien e vonesave në përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve.

Doganat paralajmërojnë se fluksi pritet të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim, për shkak të sezonit turistik dhe shtimit të lëvizjeve ndërkufitare.

Hita: Ka marrë fund “gjuetia” e gjobave, Policia kalon te monitorimi inteligjent

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se Policia ka hyrë në një fazë të re të monitorimit inteligjent të qarkullimit rrugor, duke lënë pas, sipas tij, kohën e “gjuetisë” së gjobave dhe ndalimeve pa shkak.

Në aktivitetin sensibilizues për sigurinë rrugore të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Hita tha se tashmë shkeljet do të evidentohen në kohë reale përmes teknologjisë moderne, pa ndërprerë trafikun dhe pa krijuar stres për drejtuesit korrektë të mjeteve.

“Koha e ndalimeve pa shkak apo e ‘gjuetisë’ së gjobave ka mbaruar. Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Nëpërmjet pajisjeve ‘Poliscan’, dronëve dhe radarëve automatikë evidentojmë shkeljet në kohë reale”, u shpreh ai.

Kreu i Policisë vuri theksin te ndërgjegjësimi i të rinjve dhe familjeve për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke apeluar për vendosjen e rripit të sigurimit dhe shmangien e përdorimit të telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

Sipas Hitës, edukimi i fëmijëve dhe nxënësve është kyç për krijimin e një kulture më të sigurt rrugore.

“Kur një fëmijë i thotë prindit ‘Vendos rripin!’ apo ‘Mos fol në telefon!’, ai mesazh vlen më shumë se dhjetëra gjoba”, deklaroi ai.

Hita foli edhe për sezonin turistik, duke bërë të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për menaxhimin e fluksit të automjeteve gjatë verës, me fokus të veçantë në akset bregdetare dhe turistike.

Ai theksoi se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët e drejtuesve të mjeteve, autoshkollave, institucioneve dhe qytetarëve, me synimin për të ulur aksidentet dhe për të shpëtuar më shumë jetë.

Eurostat: Shqiptarët paguajnë karburantin 10.5% më shtrenjtë se mesatarja e BE-së!

Shqipëria rezulton ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në Europë sipas fuqisë blerëse. Të dhënat e publikuara nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se konsumatorët shqiptarë paguajnë 10.5% më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian për karburante dhe lubrifikantë për automjetet private.

Sipas indeksit të nivelit të çmimeve me barazinë e fuqisë blerëse (PPP), Shqipëria regjistroi një nivel prej 110.5%, çka do të thotë se për të blerë të njëjtën sasi karburanti që një qytetari në BE i kushton 100 euro, një shqiptari i duhen 110.5 euro.

Eurostat përfshin në këtë kategori benzinën, naftën, gazin për automjete (LPG/CNG), vajrat lubrifikues dhe produkte të tjera të mirëmbajtjes së mjeteve private.

Pavarësisht se Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Europë — me të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së dhe konsum individual në 48% të saj — çmimet e karburanteve janë më të larta se në shumë shtete më të zhvilluara.

Në renditjen europiane, Shqipëria pozicionohet e pesta për karburantet më të shtrenjta sipas fuqisë blerëse, pas Islandës (128.4%), Danimarkës (114.7%), Holandës (114%) dhe Zvicrës (113.7%).

Edhe krahasuar me rajonin, çmimet në Shqipëri rezultojnë dukshëm më të larta. Serbia renditet me 96.1%, Mali i Zi me 85.6%, Bosnjë-Hercegovina me 76.3%, ndërsa Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të lira në Europë me 72%, pas Turqisë me 67.5%.

Sipas raportit, Shqipëria ka ardhur duke u shtrenjtuar vazhdimisht në raport me mesataren europiane. Në vitet 2022-2023 çmimet arritën nivelin e BE-së, në 2024 indeksi shkoi në 106.6%, ndërsa në 2025 u rrit në 110.5%.

Monitor shkruan se diferenca lidhet kryesisht me barrën e lartë fiskale mbi karburantet, pasi taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit të një litri karburant në Shqipëri, ndërsa në vendet e tjera të rajonit llogariten në rreth 30-35%.

Protesta / PE miratoi amendamentin për Vjosë-Nartën! Eurodeputetja kundër Ramës

Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian ka përshëndetur miratimin me shumicë të gjerë të amendamentit të tyre lidhur me zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë në mbrojtje të mjedisit dhe kundër projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet më të ndjeshme të Shqipërisë.

Eurodeputetja italiane, Cristina Guarda ka reaguar në lidhje me protestat në Shqipëri, ku qytetarët janë revoltuar dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

Përfaqësuesit e të Gjelbërve deklaruan nëpërmjet një video-mesazhi në rrjete sociale se kanë zgjedhur të pozicionohen hapur kundër ndërhyrjeve që po zhvillohen në zonën e Vjosë-Nartës, të cilat i konsiderojnë pjesë të një modeli zhvillimi turistik dhe ekonomik që shpërfill paralajmërimet e komunitetit shkencor, organizatave të shoqërisë civile dhe interesin publik.

Eurodeputetja, Guarda tha se Shqipëria ka shumë sfida përpara që lidhen me lirinë e shtypit, korrupsionin, presionet mbi drejtësinë, të drejtat e minoriteteve dhe  mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu ajo thekson se kryeministri Rama duhet të dëgjojë kërkesat e protestuesve.

Sipas tyre, protestat paqësore të zhvilluara ditët e fundit tregojnë një shoqëri aktive, e cila mobilizohet për mbrojtjen e interesit të përbashkët dhe të territorit.

Të Gjelbrit vlerësuan angazhimin e qytetarëve që kundërshtojnë projekte të cilat, sipas tyre, favorizojnë interesa të ngushta private në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.

Në deklaratën e tyre u renditën gjithashtu një sërë çështjesh që kërkojnë përmirësim, përfshirë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së mjedisit.

Grupi i të Gjelbërve i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për autorizimet e reja, kantieret dhe projektet që prekin zonat e mbrojtura, deri në krijimin e garancive të plota për ruajtjen e tyre.

“Duhet të ndalojmë këtë model zhvillimi dhe të dëgjojmë kërkesat e qytetarëve që po protestojnë për mbrojtjen e mjedisit dhe të territorit”, thuhet në reagimin e tyre pas votimit në Parlamentin Europian.

Votohet me 84 vota pro amnistia penale

Kryeministri Edi Rama pasditen e kësaj të enjte është bashkuar në rinisjen e seancës plenare në Kuvend ku u votua amnistia penale. Para votimit, në seancë pati tensione dhe kryeparlamentari, Niko Peleshi vendosi që deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj të përjashtohej nga seanca pasi bënte thirrje ai të japë dorëheqjen dhe të dëgjonte kërkesat e protestuesve.

Në seancë munguan deputetet e PD. Të pranishëm ishin vetëm deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe deputetet e Mundësisë, Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Pavarësisht debatit në Kuvend, amnistia penale u votua me 84 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.