Humb jetën 71-vjeçari , përmbyset zetori në fshatin Dushk

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Dushk të Lushnjes, ku një 71-vjeçar ka humbur jetën pasi mjeti bujqësor me të cilin udhëtonte është përmbysur.

Viktima është identifikuar si Hekuran Xhelo. Sipas informacioneve paraprake, ai po shkonte drejt tokave të tij bujqësore me zetor, kur në rrethana ende të paqarta mjeti është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit, 71-vjeçari dyshohet se ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Mësohet se në mjetin bujqësor ndodhej edhe një person tjetër, i cili është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Lushnjes. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.