Arrestohet administratori i një firme riciklimi në Fier, u gjymtua një punëtor 21-vjeçar

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin N. H., 38 vjeç, administrator i një firme riciklimi mbetjesh.

Sipas Policisë, ai akuzohet për veprat penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Arrestimi u bë pasi gjatë procesit të punës është gjymtuar një punëtor 21-vjeçar, shtetasi D. R. I riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Rama: Aeroporti i Vlorës do të hapet patjetër

Screenshot

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të vazhdojë zgjerimin e sistemit të aviacionit civil për t’iu përgjigjur rritjes së pritshme të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve në vitet e ardhshme.

Gjatë inaugurimit të linjës së parë Tiranë–Toronto në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Rama tha se ekziston një projeksion i qartë profesional për zhvillimin e sektorit dhe shtimin e kapaciteteve aeroportuale në vend.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te Aeroporti i Vlorës, duke sqaruar se vonesat nuk lidhen me institucionet shtetërore apo faktorë të jashtëm, por me mosmarrëveshje të brendshme të kompanisë që po zbaton projektin.

“Aeroporti i Vlorës do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve të brendshme të kompanisë”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur gjithashtu se qeveria ndodhet në fazën finale të përgatitjeve për hapjen e garës për aeroportin e Gjirokastrës, i cili pritet të ketë karakter kryesisht turistik dhe sezonal.

Sa i përket aeroportit të Kukësit, Rama tha se nuk ka arsye për të hequr dorë nga zhvillimi i tij, duke theksuar se marrëveshjet me kompanitë ajrore varen nga interesat tregtare të operatorëve.

Sipas kryeministrit, kur qeveria mori detyrën vetëm 6.5% e shqiptarëve kishin akses në transportin ajror, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 40%, falë rritjes së konkurrencës në tregun e aviacionit dhe uljes së kostove të fluturimeve.

Aksident në aksin Levan–Vlorë, rëndohet trafiku

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në aksin Levan–Vlorë, ku një automjet tip “Fiat” është përfshirë në një përplasje në rrethana ende të paqarta.

Si pasojë e aksidentit, në këtë segment rrugor është krijuar trafik i rënduar dhe lëvizja e mjeteve po zhvillohet me vështirësi.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për normalizimin e qarkullimit.

Sipas të dhënave paraprake, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Ende nuk dihet nëse automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës apo me një mjet tjetër.

Miratohen tre centrale të reja fotovoltaike, 126 MW kapacitet total

Qeveria ka miratuar lejet për ndërtimin e tre centraleve të reja fotovoltaike me një kapacitet të instaluar total prej 126 megavatësh.

Leja e parë është dhënë për shoqërinë “DEVOLLI SUNPOWER”, e cila do të ndërtojë një central fotovoltaik me fuqi 15 MW në Bashkinë Devoll.

Leja e dytë i përket shoqërisë “ONE SOLAR”, që do të ndërtojë një park fotovoltaik me kapacitet 11.5 MW në fshatrat Drizë, Gjergjovinë dhe Cingar i Poshtëm, në Bashkinë Gramsh.

Ndërsa projekti më i madh është ai i bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Blessed Investment” dhe “Matrix Konstruksion”, të cilat kanë marrë miratimin për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 100 MW në zonën Sheq-Marinas, në Bashkinë Fier.

Qeveria shpall zonat me zhvillim parësor në Patos ,Devoll, Kolonjë, Malësi të Madhe

Screenshot

Qeveria ka miratuar katër vendime të posaçme për përcaktimin e zonave me zhvillim parësor në bashkitë Devoll, Kolonjë, Malësi e Madhe dhe Patos, në kuadër të ligjit nr.20/2025.

Në Bashkinë Devoll janë shpallur dy zona prioritare, ku përfshihen dhjetëra fshatra të njësive administrative Miras, Hoçisht, Progër dhe Qendër Bilisht. Ndërsa në Bashkinë Kolonjë janë përcaktuar shtatë zona zhvillimi, kryesisht në njësitë administrative Qendër Leskovik, Barmash, Qendër Ersekë, Mollas dhe Çlirim.

Për Bashkinë Malësi e Madhe janë identifikuar 10 zona me zhvillim parësor, duke përfshirë Koplikun dhe disa nga zonat turistike më të njohura si Vermoshi, Lëpusha, Boga dhe Reçi.

Ndërkohë, në Bashkinë Patos janë shpallur pesë zona prioritare: Kuqari, Drenia, Gjynaqarë, Ruzhdia dhe Siqeca

Radhë kilometrike në Kapshticë

Radhë mbi 2 kilometra në Kapshticë, pritje mbi një orë për të kaluar drejt Greqisë

Fluksi i lartë i lëvizjeve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës ka sjellë radhë të gjata dhe vonesa për udhëtarët që kalojnë drejt Greqisë.

Në pikën kufitare greke të Krystallopigi-t, përballë Kapshticës, janë krijuar kolona automjetesh që tejkalojnë dy kilometra, ndërsa qytetarët detyrohen të presin më shumë se një orë për të përfunduar procedurat e kalimit.

Sipas informacioneve nga terreni, Policia Kufitare greke po punon me sportele të reduktuara. Procesi po ngadalësohet edhe nga zbatimi i sistemit të ri të kontrollit, i cili përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës për çdo udhëtar.

Situata ka ngritur shqetësime në prag të sezonit turistik veror, kur pritet një rritje edhe më e madhe e fluksit në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Humb jetën 34-vjeçari në aksident me motor në autostradën Fier–Lushnjë

Screenshot

Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në autostradën Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku ka humbur jetën një 34-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, viktima me inicialet A.M. po udhëtonte me motor në drejtim të Lushnjës, kur dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit, ka dalë nga rruga dhe është përplasur në asfalt.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe autoambulanca, por i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

SPAK çon për gjykim Erion Isain dhe 11 të tjerë për tenderat në ARRSH dhe Bashkinë Kolonjë

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 12 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai, lidhur me shkelje të dyshuara në procedura prokurimi publik të zhvilluara nga ARRSH dhe Bashkia Kolonjë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Isai akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryera në bashkëpunim.

Në listën e të pandehurve përfshihen edhe ish-zyrtarë të ARRSH-së, punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe administratorja e një kompanie private.

SPAK bën me dije se nga hetimet janë konstatuar shkelje në disa tendera, përfshirë atë të rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me fond limit rreth 2.88 miliardë lekë. Sipas organit të akuzës, fondi është fryrë me rreth 590 milionë lekë, duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik.

Hetimet kanë evidentuar edhe dyshime për falsifikim dokumentesh dhe favorizim të kompanive në procedurat e prokurimit.