SPAK çon për gjykim Erion Isain dhe 11 të tjerë për tenderat në ARRSH dhe Bashkinë Kolonjë

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 12 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai, lidhur me shkelje të dyshuara në procedura prokurimi publik të zhvilluara nga ARRSH dhe Bashkia Kolonjë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Isai akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryera në bashkëpunim.

Në listën e të pandehurve përfshihen edhe ish-zyrtarë të ARRSH-së, punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe administratorja e një kompanie private.

SPAK bën me dije se nga hetimet janë konstatuar shkelje në disa tendera, përfshirë atë të rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me fond limit rreth 2.88 miliardë lekë. Sipas organit të akuzës, fondi është fryrë me rreth 590 milionë lekë, duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik.

Hetimet kanë evidentuar edhe dyshime për falsifikim dokumentesh dhe favorizim të kompanive në procedurat e prokurimit.