Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të vazhdojë zgjerimin e sistemit të aviacionit civil për t’iu përgjigjur rritjes së pritshme të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve në vitet e ardhshme.
Gjatë inaugurimit të linjës së parë Tiranë–Toronto në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Rama tha se ekziston një projeksion i qartë profesional për zhvillimin e sektorit dhe shtimin e kapaciteteve aeroportuale në vend.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te Aeroporti i Vlorës, duke sqaruar se vonesat nuk lidhen me institucionet shtetërore apo faktorë të jashtëm, por me mosmarrëveshje të brendshme të kompanisë që po zbaton projektin.
“Aeroporti i Vlorës do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve të brendshme të kompanisë”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur gjithashtu se qeveria ndodhet në fazën finale të përgatitjeve për hapjen e garës për aeroportin e Gjirokastrës, i cili pritet të ketë karakter kryesisht turistik dhe sezonal.
Sa i përket aeroportit të Kukësit, Rama tha se nuk ka arsye për të hequr dorë nga zhvillimi i tij, duke theksuar se marrëveshjet me kompanitë ajrore varen nga interesat tregtare të operatorëve.
Sipas kryeministrit, kur qeveria mori detyrën vetëm 6.5% e shqiptarëve kishin akses në transportin ajror, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 40%, falë rritjes së konkurrencës në tregun e aviacionit dhe uljes së kostove të fluturimeve.










