Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është një tjetër figurë nga radhët e Partisë Socialiste që ka shprehur mbështetje për protestat antiqeveritare në Tiranë.
Përmes një postimi këtë të diel, Bushati publikoi foto nga protesta e 21-të radhazi, duke theksuar se qytetarët që kanë dalë në shesh nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shqiptarë të revoltuar nga gjendja në vend.
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar”, shkruan Bushati.
Ai shton se protestuesit janë qytetarë që kërkojnë “më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”.
Sipas Bushatit, çdo ditë që kalon po forcon bindjen se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por “një kapitull i pashmangshëm”.
“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i ish-ministrit socialist.










