Tregtarët e tregut të fruta-perimeve dhe të tregut industrial në qytetin e Vlorës janë mbledhur sërish këtë të hënë në protestë, pasi pretendojnë se nuk janë lejuar të hyjnë as në ambientet e tregut dhe as në dyqanet e tyre.
Sipas tyre, situata është krijuar pas nisjes së punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit. Tregtarët shprehen se bllokimi i hyrjes po u shkakton humbje të mëdha ekonomike, pasi mallrat me vlerë miliona lekë rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa aktiviteti i bizneseve mbetet i paralizuar.
Ata theksojnë se në vendimin fillestar ishte parashikuar që dyqanet të lejoheshin të hapeshin, pa nxjerrë mallin në rrugë, por sipas tyre edhe kjo nuk është zbatuar gjatë ditës së sotme.
Pas grumbullimit në treg, protestuesit janë zhvendosur drejt Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar takim me kryetaren Brunilda Mersini. Në shenjë revolte, disa prej tregtarëve kanë shtyrë portën kryesore të institucionit.










