Vrau policin dhe të birin 8 vjeç, Kanadaja refuzon ekstradimin e Fierakut

Ëngjëll Brahimi nuk do të ekstradohet në Shqipëri. Ka qenë Gjykata e Lartë Quebec në Kanada, që ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e Ëngjëll Brahimit, i cili u arrestua në Montreal të Kanadasë ku edhe jetonte prej shumë kohësh me emrin Piro Kota.

Qeveria shqiptare kërkoi ekstradimin e tij, gjë e cila tashmë u refuzua.

Brahimi u akuzua për vrasjen e oficerit të policisë, Astrit Braçe dhe djalin e tij 8 vjeçar, në një sulm me armë zjarri më 10 Gusht 2000.

Sipas gjykatësit, Alexandre Boucher kërkesa u refuzua pasi kishte probleme me provat e paraqitura nga kërkesa e qeverisë kanadeze për ekstradimin, duke përfshirë se nuk kishte garanci në kërkesën për ekstradim se dëshmitarët nga gjyqi i mbajtur në 2001 janë ende të disponueshëm.

“Provat janë kaq të dëmtuara dhe aq të pabesueshme sa që ekstradimi do të ishte një gabim drejtësie”, ka thënë ai.

Arratiset nga burgu në Itali çifti shqiptar

Emilian Bici, 43 vjeç dhe Ermelinda Saphiu, 38 vjeç, burrë e grua, kanë arratisur që të arratisen pasi kishin dalë nga burgu në Itali me leje si pjesë e planit të riintegrimit social. Ata akuzohen për tentativë vrasjeje, pasi në 2018 kishin plagosur me thikë një person.

Sipas mediave italiane ata kanë qenë duke punuar në një fermë në de Leyva në Pesaro, por kur efektivët e policisë u kthyen për t’i marrë, ata ishin zhdukur.

Ata u arratisën të martën, duke përfituar nga puna e jashtme e cila i lejonte ata të dilnin nga burgu në orën 7 të mëngjesit dhe më pas të ktheheshin pas 8 orësh. Nga ai moment nisën kërkimet për çiftin, duke u shtrirë fillimisht në territorin e provincës, më pas në të gjithë Italinë.

Policia dhe Karabinierët kontrolluan stacionet e trenit dhe autobusëve, duke parë edhe imazhet e kamerave për të parë nëse të arratisurit kishin kaluar nëpër ndonjë pikë nisjeje.

Gjithashtu kontrolluan qelitë e tyre në kërkim të ndonjë të dhënë që mund të tregonte rrugën e arratisjes. Nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë me të cilët janë larguar, duke pasur tashmë një destinacion të sigurt, ndoshta jashtë vendit, ku mund të shkonin për të mos u rikthyer dhe rimarrë në burg.

Sipas mediave italiane, mendohet që çifti prej disa kohësh kishte organizuar planin e arratisjes, duke llogaritur në oraret e tyre të zakonshme, përveç përkushtimit ndaj punës që treguan në fermën edukative që bashkëpunon me burgun e Pesaros për riintegrimin social të të burgosurve.

IGJEO: Temperaturat këtë fundjavë shkojnë deri në -4 gradë! Do të mbizotërojë i ftohti dhe shiu

IGJEO, ka bërë parashikimin e motit për këtë fundjavë, por edhe për ditët në vazhdim.

Mesohet se kjo fundjavë që kemi para do jetë tepër e ftohtë, ku temperaturat do ulen deri në -4 gradë në zonat malore. Shiu do jetë i pranishëm deri ditën e nesërme dhe do fillojë sërish ditën e martë.

“Pasditja e sotme do të vazhdojë me reshje në të gjithë territorin e vendit, do të jenë reshje të niveleve mesatare duke filluar që nga veriu deri në jug dhe ndërpriten ditën e nesërme. Kemi një rënie të temperaturave, por rënia maksimale do të jetë të dielën në mëngjes, ku minimalet në zonat malore do zbresin -4 gradë dhe ato maksimalet do të regjistrojnë 7 gradë. Në zonat e ulëta temperaturat do të zbresin deri në 3 gradë, aty ku përfshihet dhe Tirana dhe maksimalet shkojnë në 10 gradë dhe në bregdet temperaturat zbresin në 7 gradë minimalet dhe ato maksimalet në 13 gradë.

Shoferja merr para karrocën me fëmijën 1 vjeç

Një aksident është regjistruar sot në Elbasan, ku një makinë ka marrë para karrocën me fëmijën 1 vjeç. 

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasja me inicialet L. Z., 27 vjeçe, pasditen e djeshme përplasi me makinë lehtë karrocën ku ishte një fëmijë, që shoqërohej nga nëna e tij. Ngjarja ndodhi në lagjen “Haxhias”.

NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. Z., 27 vjeçe, banuese në Elbasan, pasi pasditen e djeshme, në lagjen “Haxhias”, automjeti që drejtohej nga kjo shtetase ka përplasur lehtë një karrocë me fëmijë 1 vjeçe, që shoqërohej nga nëna e fëmijës. Fëmija, pasi mori mjekim në spital, u dërgua në banesë.

Ndalohet 30-vjeçarja e shpallur në kërkim.

Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit” që ka si qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe të atyre që posedojnë armë zjarri, pa leje.

E dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të rritura”, ndalohet 30-vjeçarja e shpallur në kërkim.

Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim Borana Faslliu, 30 vjeçe, banuese në Lushnjë.

Gjykata e Apelit e ka dënuar 30-vjeçaren, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të rritura”. Kjo shtetase është implikuar në një rast të kësaj veprimtarie kriminale, ndaj një 26-vjeçareje, të kryer më datë 03.12.2020, nga bashkëshorti i shtetases Borana Faslliu, i cili është arrestuar një ditë më pas dhe aktualisht vuan dënim me burgim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Shkaterrohet organizata e trafikut të drogës në Itali, drejtohej nga një familje shqiptare

Një organizatë e trafikut të drogës në Itali është shkatërruar nga autoritetet italiane, ku janë arrestuar 19 persona. Sipas mediave italiane, kjo organizatë drejtohej nga një familje shqiptare; babai, e ëma dhe djali.

Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se këta persona janë Ardian Korriku 54 vjeç, Etleva Adami 46 vjeç dhe Jurgen Korriku 27 vjeç. Të tre këta persona u arrestuan dje në Shqipëri në kuadër të operacionit “PUZZLE 2020” me kërkesë të autoriteteve italiane pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo organizatë trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali si dhe nga Holanda në Shqipëri nëpërmjet Gjermanisë. 18 nga 19 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, ndërsa 1 italian. Nga 19 fletë-arresti, 14 janë me masë sigurie arrest në burg, ndërsa 5 të tjerë në arrest shtëpie. Një nga 18 shqiptarët u kap në Gjermani, në qytetin Hanover, dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie. Organizata drejtohej nga familja shqiptare e përbërë nga 3 personat e sipërpërmendur.

Banda ka qarkulluar lëndë narkotike me vlerë 34 milionë Euro në total. Bëhet fjalë për 420 kilogramë drogë, nga të cilat 70 kg kokainë, 66 kg heroinë, 206 kg hashash dhe 80 kg marijuanë. Kjo sasi droge është shitur me pakicë përgjatë viteve.
Përveç 19 të arrestuarve, 65 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë, rezultojnë që të jenë të dyshuar për përfshirje në trafikun e paligjshëm të drogës nga Holanda në Shqipëri.

Hetimet për këtë grup kriminal nisën nga autoritetet italiane në Janar të vitit 2020 kur u arrestua një çift që trafikonte 2 kg heroinë. Përgjimet dhe ndjekja hetimore zbuloi më pas një zinxhir të trafikut dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal që drejtohej nga familja shqiptare me banim në Treviso të Italisë.

Anëtarët e organizatës përdornin celularë të koduar për të menaxhuar porositë e klientëve të drogës.
Asete me vlerë 1 milion Euro u sekuestruan në kuadër të këtij operacioni, përfshirë një kompani zvicerane, ndërtesa dhe automjete luksoze.

Bizneset dhe individët po i kthejnë kreditë nga Euro në Lekë

Bizneset dhe individët po i kthejnë kreditë nga Euro në Lekë, të shtyrë nga kursi i këmbimit dhe normat më të ulëta të interesit

Forcimi i Lekut dhe normat më të ulëta të interesit për kreditë në monedhën vendase këtë vit kanë bërë që shumë huamarrës t’i konvertojnë kreditë nga Euro në Lekë.

Banka e Shqipërisë vë në dukje se gjatë tremujorit të tretë të vitit shumë biznese dhe individë që kishin kredi në valutë dhe kryesisht në euro kanë zgjedhur t’i kthejnë këto kredi në monedhën vendase.

Faktorët kryesorë që kanë mbështetur këtë zhvendosje kanë qenë mbiçmimi i monedhës vendase, normat më të ulëta të interesit të kredisë hipotekare në lekë krahasuar me atë në euro, si dhe lehtësirat rregullative për ndryshimin e monedhës së kredisë pa penalitet.

Në fund të muajit shtator, kredia në lekë për biznese shënonte një zgjerim vjetor prej 7.6%, ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 1% e gjashtëmujorit të parë të vitit. Zhvillimet e mësipërme kanë rezultuar në rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit në 46%, në nivelet më të larta historike.

Në ngjashmëri me tendencat e vërejtura tek bizneset, kredia në valutë e individëve është ngadalësuar duke zbritur në 13.9% në tremujorin e tretë, nga një mesatare prej 21% në gjashtëmujorin e parë. Paralelisht, kredia në lekë për individë ka shfaqur përmirësim të normave të rritjes, të cilat arritën në 12.6% në tremujorin e tretë nga 8% një tremujor më parë.

Kjo zhvendosje e dukshme e kreditimit drejt lekut nuk reflekton vetëm një orientim më të madh të kredive të reja drejt monedhës vendase, por edhe konvertimin e kredive ekzistuese.

Për herë të parë gjatë këtij viti, normat e interesit të kredisë në lekë ishin më të ulëta krahasuar me kreditë në euro. Banka e Shqipërisë e frenoi ndjeshëm normalizimin e normave të interesit këtë vit dhe deri në fillim të muajit nëntor norma bazë e interesit ishte në nivelin 3%. Kjo bëri që yield-et e titujve qeveritarë të binin ndjeshëm dhe të reflektoheshin edhe në norma më të ulëta interesi të kredive.

Përkundrazi, Banka Qendrore Europiane këtë vit ka ndjekur një qasje mjaft agresive, me rritje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit deri në nivelin më të lartë historik prej 4.5%. Kjo është përcjellë në rritjen e Euriborit dhe rrjedhimisht edhe të normave të kredive me interes të ndryshueshëm në Euro.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznesin në tremujorin e tretë rezultoi 6.4% nga 6.9% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Ndërsa norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve rezultoi 6.4% në tremujorin e tretë të vitit nga 5.8% në pjesën e parë të vitit dhe 5.4% një vit më parë.

Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe për individët. Interesi mesatar i kredisë në lek për individë shënoi 6.7% në tremujorin e tretë nga 7.0% dhe 7.6% që ishte në dy tremujorët paraardhës. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për individët shënoi një rritje të lehtë duke arritur në 5.5% në tremujorin e tretë, nga 5.3% dhe 4.1% që ishin vlerat e dy tremujorëve të mëparshëm

Ndërkohë, këtë vit Leku shënoi një forcim të paprecedentë në kursin e këmbimit me Euron. Kursi i këmbimit Euro-Lek zbriti deri pranë kufirit të 100 lekëve në korrik, ndërsa rënia vjetore e kursit shkoi në më shumë se 14%. Në këtë kushte, shumë individë dhe biznese gjetën një leverdi të dyfishtë për t’i kthyer kreditë e tyre nga Euro në Lekë.

Tendenca e kthimit të kredive në lekë vlerësohet se mund të ketë ndikuar gjithashtu edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Konvertimi i kredive në monedhën vendase nënkupton rritje të kërkesës për lekë dhe shtim të ofertës së Euro në tregun valutor. Në këtë mënyrë, kjo do të shpjegonte, mes të tjerash, forcimin e Lekut në kursin e këmbimit me Euron.

Megjithëse teoria sugjeron se mbajtja e normave më të ulëta të interesit ka të ngjarë ta zhvlerësojë monedhën, kjo nuk ka ndodhur me Lekun këtë vit, madje, monedha vendase është forcuar më shume se kurrë më parë ndaj Euros.

Kjo dëshmon se kursi i këmbimit në Shqipëri përcaktohet më së shumti nga flukset hyrëse neto të valutës së huaj, por ndoshta edhe faktin se diferenca në normat e interesit ka ndikuar më shumë huanë, se sa kursimet dhe investimet e publikut. MONITOR

Makina del nga rruga, humb jetën 28-vjeçari

Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Gosë-Vilë Bashtovë”, shtetasi B. Th., 28 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Nga aksidenti ka humbur jetën 28-vjeçari.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit