Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë deklaratat dhe qëndrimet e Elisa Spiropalit, duke theksuar se ajo tashmë është e lirë të ndjekë rrugën e saj politike dhe nuk ka më detyrimin të jetë në një linjë me të apo me Partinë Socialiste.
Në një intervistë për podkastin “Rishtazi”, në Maqedoninë e Veriut, Rama u pyet nëse deklaratat e Spiropalit mund të ndikojnë në perceptimin e zhvillimeve politike në Shqipëri.
Fillimisht, kreu i qeverisë shmangu komentet, duke argumentuar se nuk diskuton për çështje të politikës së brendshme shqiptare në mediat e vendeve të tjera.
Megjithatë, më pas ai u ndal te pozicioni politik i Spiropalit, duke deklaruar: “Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”.
I pyetur nëse deklaratat e saj mund të dëmtojnë punën dhe masat që po merr qeveria, Rama u përgjigj se asnjë kundërshti nuk mund të dëmtojë të vërtetën apo faktet.
Ai i krahasoi kundërshtitë me erërat që forcojnë pemën, ndërsa shtoi se në rastet kur ato sjellin pasoja, duhet të shërbejnë për të kuptuar se ku qëndron problemi.










