Gjykata e Fierit e dënoi për falsifikim, fituesi i BBV Albania përballet me rekursin në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor për falsifikim dokumentesh këngëtarin Luiz Ejlli, duke e dënuar me një vit burgim. Edhe pse më pas Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm, çështja e tij do të rikthehet në vëmendjen e Gjykatës së Lartë, ku më 24 nëntor pritet të shqyrtohet rekursi i Prokurorisë.

Ejlli u akuzua për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur kishte humbur licencën e noterit, ai kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e 210 mijë eurove në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.

Më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor dhe e dënoi me një vit burgim, ndërsa bashkëpandehuri Fatmir Avdurramani u dënua me 18 muaj burgim.

Më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin dhe shpalli të pafajshëm të dy të pandehurit. Prokuroria e Apelit kundërshtoi këtë vendim duke paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, ku relator i çështjes është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.