Pas publikimit të videove të saj intime në rrjetet sociale dhe bujës së madhe që shkaktoi ngjarja, ka reaguar këngëtarja Eli Fara.
Në reagimin e saj, artistja shprehet se nuk ndihet e turpëruar, duke theksuar se turpi duhet të rëndojë mbi ata që shpërndanë dhe publikuan pamjet.
“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan ajo.
Eli Fara ngre shqetësimin për mënyrën se si gratë përballen me gjykimet e shoqërisë, duke theksuar se shpesh u kërkohet të mbajnë mbi vete edhe turpin e veprimeve të kryera kundër tyre.
“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet artistja.
Në vijim, ajo thotë se çështjen do t’ia lërë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut për “njerëzillëk”, duke kërkuar ndalimin e shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e saj dhe të familjes.
“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, Eli Fara falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Ajo thekson se dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin forcë për të vijuar përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.








