Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar me 4.56 milionë dollarë koncertin e reperit amerikan Kanye West ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Pas Reuters, edhe NBC News ka publikuar një artikull mbi këtë çështje, duke raportuar debatet që ka nxitur përdorimi i fondeve publike për organizimin e eventit.
Sipas NBC News, kryeministri Edi Rama e mbrojti vendimin për të akorduar 4 milionë euro, duke deklaruar se fondet u përdorën për të shmangur anulimin e koncertit dhe dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.
“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta”, citohet Rama nga NBC News.
Sipas kryeministrit, koncerti i planifikuar më 11 korrik pranë Tiranës pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, përmes rritjes së aktivitetit në sektorin e turizmit.
Artikulli i NBC News rikujton gjithashtu polemikat që kanë shoqëruar Kanye West, i njohur edhe si Ye, për deklaratat e tij të mëparshme që u interpretuan si lavdërime për Adolf Hitlerin dhe për përdorimin e simboleve naziste. Media amerikane thekson se artisti ka kërkuar më pas falje për disa prej këtyre deklaratave.
Sipas raportimit, vendimi i qeverisë shqiptare ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e komentuesve kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për financimin e koncertit.
NBC News raporton gjithashtu se Shqipëria po përballet prej më shumë se një muaji me protesta të përditshme në Tiranë. Sipas medias amerikane, demonstratat nisën pas kundërshtimeve ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe më pas u zgjeruan me akuza për korrupsion ndaj qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, akuza që ky i fundit i ka mohuar.










