Erion Veliaj ka reaguar pas raportimeve se ka refuzuar t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Memorial të Fierit. Në një deklaratë, ai thotë se nuk ka kërkuar dhe as pranuar të operohet në një spital të përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama.
“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar”, shkruan Veliaj.
Ai e cilëson dërgimin në Fier si “internim politik” dhe shprehet se nuk mund t’i besojë të njëjtit person për një ndërhyrje kirurgjikale nën narkozë, ku sipas tij është në lojë jeta e tij.
Veliaj thotë se që të premten në mëngjes i është drejtuar GJKKO-së për të kërkuar vlerësimin nga një mjek i zgjedhur prej tij dhe kryerjen e operacionit në spitalin e përzgjedhur nga familja.
“Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!”, përfundon reagimin e tij.










