Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së për Tiranën, Rama iu referua dy figurave socialiste si “dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
Të shtunën e kaluar, kryeministri propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës, por Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre. Gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit pati edhe replika mes Ramës dhe ish-kryetares së Kuvendit. Në mbështetje të Spiropalit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.
Në fjalën e tij, Rama komentoi edhe situatën në Bashkinë e Tiranës, duke paralajmëruar masa të ashpra politike ndaj drejtuesve dhe punonjësve që, sipas tij, do të zbatojnë vendime arbitrare ndaj administratës bashkiake.
Ai përmendi konkretisht Elonën Lalaj dhe kritikoi Erion Veliajn për qëndrimet e tij ndaj Partisë Socialiste.
“Unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi mungesën e kryebashkiakut si një problem shumëplanësh për funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe tha se kjo situatë do të zgjidhet më 9 maj 2027, me fitoren e PS-së në zgjedhjet vendore.










