Nis transformimi i Parkut Arkeologjik Bylis-Klos, 6.25 milionë euro mbështetje nga BE

Kanë nisur punimet për zhvillimin dhe rehabilitimin e Parkut Arkeologjik Bylis-Klos, në kuadër të një projekti të financuar me 6.25 milionë euro nga Bashkimi Europian.

Projekti synon konservimin dhe valorizimin e monumenteve arkeologjike, përmirësimin e infrastrukturës për vizitorët, si dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin lokal.

Punimet u inspektuan nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, përfaqësues të AICS dhe autoritete vendore.

Një nga ndërhyrjet kryesore është ndërtimi i një Qendre të re Multifunksionale të Vizitorëve, me një fond prej rreth 2 milionë eurosh. Qendra do të përmbajë hapësira muzeale, kërkimi dhe konservimi, duke synuar të ofrojë një përvojë më të plotë për turistët dhe vizitorët e parkut.

Sipas ministrit Gonxhja, projekti përfshin edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për komunitetin vendas.

“Projekti parashikon gjithashtu mbështetje për komunitetin e zonës. Deri tani janë certifikuar 13 guida vendase, ndërsa 20 përfitues do të mbështeten përmes granteve me një fond prej 210 mijë eurosh”, deklaroi Gonxhja.

Investimi synon të forcojë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike të Bylisit, të rrisë atraktivitetin turistik të zonës dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët vendas.