BIRN: Deputetët e PS presin me kritika draftin e qeverisë për bastet online

Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.

Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018.

Pesë vjet më pas, qeveria pretendon se do ta vendosë sërish në shina ligjore këtë sektor përmes një projektligji që u prezantua të mërkurën në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat nga zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero.

Sipas Vjeros, drafti ishte konsultuar me grupet e interesit dhe federatat sportive dhe garantonte që të ardhurat nga licensiomi i këtij aktiviteti do të shkonin në mbështetje të sportit.

“Një nga risitë e projektligjit është krijimi i një fondi të posaçëm, që do përdoret për të mbështetur projekte të sportit, kulturës, inovacionit,” tha Vjero.

Por argumentet e saj nuk ishin bindëse për deputetët.

Projekti u përball me kritika dhe pikëpyetje të shumta nga deputetët e mazhorancës qeverisëse për procesin e konsultimit, mënyrën dhe vlerën e  tatimit të kompanive, etj. Ndërkohë, deputetë të opozitës e akuzuan qeverinë për dështimin e reformës për ndalimin e lojërave të fatit dhe që se ligji i ri përbënte një rrezik për pastrimin e parave.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se ligji nuk ishte konsultuar me të gjithë grupet e interesuara dhe kërkoi të dëgjohej shoqata e personave të dëmtuar nga bastet, si dhe AKSHI për mënyrën se si do të kontrolloheshin bastet online.

“Këtij komisioni i lind detyrimi që edhe të kërkojë llogari, edhe të japë një zgjidhje që s’i çon prapë te banditët,” tha Braçe, duke parashikuar se “edhe ky aktivitet do kthehet në një betejë mes atyre që janë legalë dhe ilegalë”.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se ligji prekte disa ligje të tjera të rëndësishme si ai për lotarinë kombëtare, për bankat dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

“Është rreziku potencial i pastrimit të parave,” tha Tabaku, duke shtuar se rrezikon dhe konkurencën pasi kriteret për subjektet që aplikojnë janë të kufizuara.

Tabaku po ashtu riktheu në vëmendje reformën e mëparshme duke e quajtur dështim. Ajo kërkoi që të hiqej dorë nga reklamimi në mediat elektronike duke këmbëngulur që të shihet dhe aspekti social i këtij ligji.

Edhe Edmond Spaho e quajti të rrezikshëm hapjen e basteve online, pasi sipas tij ky aktivitet është i lidhur direkt me pastrimin e parave dhe shteti nuk e kontrollon dot.

“Fakti që pranohet se ky aktivitet ka vazhduar ilegalisht, tregon që s’ka kapacitete,” tha ai.

Deputetët socialistë, Alban Xhelili dhe Pranvera Resulaj kërkuan që drafti i qeverisë të rishkruhej dhe ngritën shqetësime për normën e tatimit mbi kompanitë.

Xhelili ngriti pikëpyetje mbi formulën e përllogaritjes të të ardhurave, e cila është shumë e lartë se ajo që ishte kur bastet ishin të ligjshme dhe paguanin taksa. “Të ardhurat bruto për një vit janë përllogaritur në masën 6,5 miliardë.  Pyetja është a mendoni se do trefishohen bastexhinjtë?” tha ai.

Po ashtu, ai tha se 95 për qind të vlerës totale të basteve e lozin të paligjshmit dhe projektiligji nuk sqaron se si do të futen në sistemin e ligjshëm.

“Duke patur parasysh që bastet do jenë online, pagesa jo cash, identifikim personi, regjistrim lojtari, a mendoni që këta që lozin 95 për qind të vlerës do na vijnë dhe do na lozin te kjo e ligjshmja?  pyeti ai përfaqësuesen e qeverisë.

“Shpresoj të jem i gabuar, por besoj se me bastet online do t’i gjeni tabletat me 1 softuer të ligjshëm dhe 10 të paligjshëm, që s’do t’i kapë dot askush,” shtoi Xhelili.

Deputetja Resulaj e cilësoi të ulët shkallën tatimore prej 15 për qind e të ardhurave bruto nga loja dhe kërkoi një barrë më të lartë fiskale për kompanitë e basteve.

Në fund të mbledhjes, deputeti Braçe kërkoi nga Ministria e Financave që të sjellë në Kuvend një listë për kompanitë që zotërojnë sot kazinotë, xhirot e tyre dhe tatimet e paguara.

“Në ligjin që kemi bërë, atë në fuqi, kemi thënë që do licencohen kazino vetëm në hotele me 5 yje brand name dhe resorte, e kështu me radhë. Do ishte mirë që të kemi një listë për transparencë dhe të mos kemi aludime,” tha Braçe.

Komisioni i Ekonomisë do të vijojë shqyrtimin e draftit të qeverisë javën që vjen, kur pritet që ministria përgjegjëse të sjellë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet e deputetëve./ BIRN

Greqi-Vrau ish-bashkëshorten dhe më pas veten, dalin detajet e krimit

Mediat greke kanë zbuluar detajet e vrasjes gjakftohtë të 42-vjeçares nga polici 38-vjeçar, ish-bashkëshorti i saj, e ndodhur mëngjesin e së martës.

Sipas informacioneve, autori ka pritur që dy fëmijët e tyre të mitur të hipnin në autobusin e shkollës dhe më pas ka mbërritur në katin e 6-të të pallatit, jashtë banesës së gruas fatkeqe, në rrugën Komninon.

Sapo 42-vjeçarja ka hapur derën, ka parë ish-bashkëshortin me pushkë në duar, të cilën pak sekonda më pas e ka qëlluar dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Më pas i ka dhënë fund jetës së tij me një plumb në kokë.

Fqinjët kanë njoftuar me shpejtësi duke thënë se kanë dëgjuar të shtënat, por kur në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e shpëtimit dhe policia, 42-vjeçari kishte vdekur dhe dy trupat e pajetë ndodheshin në një “pellg” gjaku, në korridor e përbashkët të pallatit.

Ra në kontakt me energjinë, humb jetën 52-vjeçarja

Një 52-vjeçare ka humbur jetën në Tiranë, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike. Ngjarja ndodhi afër një qendre tregtare në dalje të Tiranës.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 13.09.2023, në afërsi të një qendre tregtare shtetasja L. M., 52 vjeçe, në tarracën e banesës së saj, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe si pasojë ka ndërruar jetë. 

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Çmontohet rrjeti ndërkombëtar i drogës Shqipëri-Itali, 24 të arrestuar, 16 shqiptarë.

052555490 F15ceed8 1438 4630 83f4 0acec3d052e9

Një rrjet trafiku droge u çmontua nga policia italiane në Milano dhe i lidhur me Shqipërinë, i cili ushqeu një rrjet të dendur shpërndarjeje droge në territorin italian dhe zviceran. 

Karabinierët arrestuan 24 persona, 16 prej tyre shqiptarë, 2 italianë, 5 marokenë dhe 1 tunizian për krime në kuadër të një organizate kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni, grabitje dhe zhvatje. Gjithashtu janë kryer 40 kontrolle dhe janë sekuestruar të ardhurat e veprimtarisë së trafikut të drogës, në vlerën e qindra mijëra eurove. 

Operacioni angazhoi 200 karabinierë të punësuar në provincat e Milanos, Bergamos, Cremonas, Leccos, Lodit, Mantovës, Monzas, Brianzas, Piacenzas, Savonas, Torinos dhe Vareses, Brescias, Cosenzas.

HETIMET
Urdhër-arrestet erdhën pas rezultateve të një aktiviteti hetimor të nisur nga Karabinierët e Njësisë së Hetimit të Milanos në prill 2020, pas një letërporosie ndërkombëtare që solli arrestimin flagrant-në territorin zviceran – të një shtetasi italian, me 6 kilogramë heroinë në makinën e tij.

Hetimet u zhvilluan me një sistem kompleks aktivitetesh teknike dhe në bashkëpunim me Autoritetin Gjyqësor zviceran. Kështu, gjetjet e hetimit kanë bërë të mundur rindërtimin e strukturës dhe funksionimit të dy organizatave kriminale të dallueshme, në biznes me njëra-tjetrën dhe drejtuese edhe të familjeve të tjera shqiptare, me lidhje operacionale në Shqipëri, me baza logjistike në provincën e Milanos dhe me degëzime në të gjithë Italinë Veriore – veçanërisht në provincat e Monza Brianzas dhe Bergamos – si dhe në Kalabri dhe Zvicër.

Sistemi i importit dhe shitjes së heroinës dhe kokainës ushqente një rrjet të dendur droge në territorin italian dhe zviceran në baza ditore, të përbërë kryesisht nga “bateri” trafikantësh me origjinë afrikano-veriore në pyje dhe zona bujqësore. Gjatë hetimeve u rikonstruktuan episode të shumta ndalimi, transporti dhe dërgimi droge në provinca të ndryshme të Italisë Veriore (Bergamo, Monza dhe Brianza, Torino dhe Verona) dhe 42 kg drogë përfshirë heroinë, kokainë dhe hashash dhe 40 kg lëndë përzierëse, si dhe 2 pushkë të paligjshme dhe shuma prej 13.000 eurosh. Gjithashtu u identifikuan një apartament dhe një magazinë që përdoreshin si rafineri droge, si dhe disa apartamente dhe garazhe që shërbenin për ruajtjen e ngarkesave të drogës.

Për më tepër, bashkëpunëtorët menaxhuan në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar një sistem të shfrytëzimit të prostitucionit të vajzave nga Lindja, të detyruara, me kërcënime dhe dhunë që rezultuan edhe në episode grabitjeje dhe zhvatjesh, të viheshin në dispozicion edhe në faqet e takimeve online dhe të prostituojnë në banesat e menaxhuara për këtë qëllim nga vetë të dyshuarit.

Masakra në Athinë/ Publikohen identitetet e 6 të vrarëve

Mediat turke kanë publikuar emrat dhe fotot e gjashtë personave që mbetën të vravrë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri në Greqi. Sipas raportimeve nga mediat, thuhet se ata i përkisnin një bande vrasësish të njohur si Dalton, të udhëhequr nga kryemafiozi turk Baris Boyun, që ndodhet në arrati.

Mes të vdekurve është edhe Doruk Ersu Buyuktudus, një nga njerëzit më të afërt të Buyun, i cili kishte qenë i burgosur në Itali për një kohë të caktuar. Abdurrahman Tekru, Ozkan Kaan Tozlu, Baris Cagan, Omer Kanza dhe Burak Tahmaz janë personat e tjerë të vdekur, sipas gazetës turke Milliyet.

Sipas të njëjtit burim, pas vrasjes një llogari e Tik Tok e quajtur “banda e Red Kit” ngarkoi një video dhe foto duke thënë “ne morëm hakmarrjen”. Madje, gazeta raporton se autoritetet greke kanë kontaktuar me ato turke për të vërtetuar nëse postimet në fjalë janë të vërteta si dhe nëse ka informacione për viktimat

Grupi i turqve banonin në një shtëpi të fshehtë në Lutsa, shumë afër vendit ku ranë të vdekur. Në fillim, mediat greke raportuan se dyshohej se të vrarët ishin shqiptarë por më pas u tregua se bëhej fjalë për shtetas turq, me dokumentacione franceze.

Masakra në Athinë/ Publikohen identitetet e 6 të vrarëve,

DASH reagon për çështjen ‘Beleri’

Departamenti Amerikan i Shtetit iu dërgoi një tjetër mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri , i cili mbetet në paraburgim.

Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria amerikane pret që të ndiqet ligji në rastin e Fredi Belerit.

Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se “ne jemi në dijeni të rastit (të ndalimit të Fredi Belerit) dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit. )”.

Beleri mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve.

Parandalohet ngjarja kriminale në Vlorë/ Sekuestrohen 4 mina me eksploziv C4, në kroskotin e një automjeti

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Vlorë. Mësohet se një 51-vjeçari i janë gjetur në kroskotin e automjetit, 4 mina me eksploziv C4.

Sakaq, raportohet se minat ishin të programuara për shpërthim në distancë të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore.

Ndërkohë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtij shtetasi.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, e bazuar në inteligjencën policore, parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse.

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë, me eksploziv C4, të programuara për shpërthim në distancë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 3”, i zhvilluar nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 51-vjeçari, banues në Lezhë, i cili i kishte fshehur 4 minat, me eksploziv C4, në kroskotin e automjetit që drejtonte.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.

Në vijim të punës intensive të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

  1. N., 51 vjeç, banues në Lezhë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e shtetasit P. N.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

Paga mesatare bruto arrin 9.6% më e lartë se në tremujorin e parë. Financa dhe administrata, me rritje dyshifrore

Sipas të dhënave zyrtare nga “INSTAT” paga mesatare mujore bruto në vendin tonë për tremujorin e dytë të këtij viti arriti në 70,905 lekë. Rritja shënohet si në terma vjetorë me 16.9%, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e kaluar me 9.6%. Po të flasim në shifra absolute rritja e pagave përgjatë një viti është rritur rreth 10 mijë lekë, ndërsa gjatë tre muajve është rritur me 6 mijë lekë. Duhet theksuar se këto shifra përfshijnë vendimin për rritjen e pagave miratuar në prill të këtij viti.

Nga ana tjetër, sa i përket pagës minimale shohim se përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka arritur në 40,000 lekë nga 34,000 që ishte në tremujorin e parë të po këtij viti.

Nëse flasim për aktivitetet ekonomike shohim se grupet që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare e të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni me 149,091 lekë dhe 112,114 lekë. Sipas shifrave pagën më të ulët bruto e regjistrojnë “Bujqësia” dhe “Ndërtimi” me 47,068 lekë dhe 56,117 lekë përkatësisht.

Nga ana tjetër, po të flasim për rritjen më të madhe, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2023 paga mesatare bruto për grupaktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 20.4%. Sektori i bujqësisë, edhe pse me pagën më të ulët, është i dyti me rritjen vjetore më të lartë prej 17.5%. Ndërkohë, rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi prej 12% dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Por si është ndryshimi tremujor i pagës për aktivitetet ekonomike? Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” rritjen më të madhe, krahasuar me tremujorin e kaluar, e ka shënuar grupi i aktiviteteve financiare me 25.1%, pasuar nga administrata publike me 12.% duke reflektuar kështu ndryshimet e pagave të miratuara nga qeveria.

Nëse analizën për aktivitetet do ta kalonim tek grup-profesionet shohim se pagën më të lartë e ka regjistruar profesioni “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” me 116,627 lekë ndjekur nga “Specialistë me arsim të lartë” me 92,566 lekë dhe “Forcat e Armatosura” me 86,236 lekë.

/SCAN