Rënie e sipërfaqeve me grurë në Fier, Myzeqeja larg statusit “Hambari i Shqipërisë”

Kultivimi i grurit në qarkun Fier vijon të shënojë rënie nga viti në vit, duke reflektuar ndryshimet në strukturën e bujqësisë në një nga zonat dikur më prodhuese të vendit.

Sipas të dhënave, në vitin 2025 sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 8,954 hektarë, ndërsa në vitin 2026 ka zbritur në 7,127 hektarë, një tkurrje e ndjeshme prej rreth 1,800 hektarësh. Edhe prodhimi ka pësuar rënie, nga 34,884 ton në vitin 2025 në rreth 28,900 ton në 2026.

Megjithatë, vihet re një rritje e lehtë e rendimentit për hektar, nga 39 kv/ha në 2025 në mbi 40.5 kv/ha në 2026, çka tregon për përmirësim të teknikave të kultivimit apo përdorimit të inputeve bujqësore. Por kjo rritje nuk ka mundur të kompensojë uljen e sipërfaqes së mbjellë.

Në veçanti, rënia prek kryesisht grurin e butë dimëror, që përbën edhe pjesën më të madhe të prodhimit, ndërsa gruri i fortë mbetet në nivele minimale dhe pothuajse i pandryshuar.

Ekspertët e lidhin këtë tendencë me disa faktorë, si kostot e larta të prodhimit, mungesa e subvencioneve konkurruese, si dhe orientimi i fermerëve drejt kulturave më fitimprurëse, si misri apo perimet.

Dikur, Myzeqeja konsiderohej “hambari i Shqipërisë”, duke furnizuar një pjesë të madhe të vendit me drithëra. Sot, shifrat tregojnë një realitet tjetër: sipërfaqet me grurë po tkurren dhe prodhimi po bie, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e kësaj kulture tradicionale në një nga zonat më pjellore të vendit.

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, makina del nga rruga dhe përmbyset

Screenshot

Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në autostradën Tiranë-Durrës.

Sipas pamjeve nga vendngjarja, një automjet ka dalë nga rruga dhe është përmbysur jashtë saj. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar rëndë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

GJKKO ndan dosjen për Marklen Hakën, nuk përfiton nga gjykimi i shkurtuar

Marklen Haka, i cilësuar si një nga personat me ndikim në zonën e Niklës, do të përballet me gjykim të zakonshëm dhe jo me procedurë të shkurtuar.

Vendimi u mor këtë të mërkurë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), e cila vendosi gjithashtu ndarjen e dosjes së tij nga ajo e të pandehurve të tjerë në këtë çështje.

Ndërkohë, për disa prej të akuzuarve të tjerë, gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Bëhet fjalë për Aldo Avdylin, Edson Jozëik, Henerigert Mitrin (ish-drejtor i Policisë Lezhë), Altin Morinën (ish-shef i stërvitjes në RENEA), Jozi Krajën dhe Durim Bamin.

SPAK pritet që më 20 maj të shpallë pretencën për këta 6 të pandehur që kanë zgjedhur këtë procedurë gjykimi.

Hetimet, të mbështetura edhe në zbardhjen e komunikimeve në platformën SKY ECC, kanë nxjerrë në pah disa grupe kriminale të dyshuara për përfshirje në kultivim narkotikësh, sigurim kushtesh për atentate dhe aktivitete të tjera kriminale, në disa raste në bashkëpunim me elementë të strukturave shtetërore.

Në total, janë lëshuar rreth 50 urdhër-arreste nga SPAK, ndërsa çështja është ndarë në disa fraksione. Për një prej tyre, pak ditë më parë, SPAK ka kërkuar në total 127.6 vite burg për disa emra të njohur të botës së krimit, mes tyre Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja dhe Viktor Imeraj.

Goditje e shkelësve të ligjit në Fier: Arrestime për vjedhje, dh*në dhe shkelje të masave të sigurisë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin E. S., 45 vjeç, banues në Fier, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se më datë 02.05.2026 ka vjedhur në një lokal, disa paketa me cigare, dhe më datë 04.05.2026 i ka vjedhur portofolin një shtetasi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec arrestuan shtetasin J. H., 69 vjeç, banues në Roskovec, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin L. Ç., dhe shpallën në kërkim shtetasin E. Ç., 35 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases M. T., 63 vjeçe, e cila po merr ndihmë mjekësore në spital. Punohet për kapjen e 35-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. N., 34 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ushtronte aktivitetin në një subjekt (farmaci bujqësore), pa licencë dhe kasë fiskale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. S., 35 vjeç, dhe për dy shtetas të mitur, 17 dhe 14 vjeç, pasi drejtonin pa leje drejtimi, motomjete pa targa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Nga turistë në investitorë: Të huajt shtojnë blerjet e pronave në Shqipëri


Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj jo vetëm si turistë, por edhe si banorë dhe investitorë në pasuri të paluajtshme, duke shënuar një rritje të qëndrueshme të këtij fenomeni vitet e fundit.

Sipas të dhënave më të fundit, në fund të vitit 2024 në vend numëroheshin rreth 22 mijë shtetas të huaj me leje qëndrimi, një shifër ende modeste krahasuar me vendet e tjera të Europës, por në rritje të vazhdueshme. Aplikimet për leje qëndrimi janë rritur me 6% në raport me një vit më parë.

Grupet më të mëdha të të huajve që jetojnë në Shqipëri vijnë nga Kosova dhe Italia, ndërsa pas tyre renditen Turqia, India dhe Filipinet. Ndërkohë, mbi gjysmën e lejeve të qëndrimit, rreth 54.3%, lidhen drejtpërdrejt me punësimin, kryesisht në sektorë si ndërtimi, mikpritja dhe shërbimet.

Sipas një studimi të Investropa, emigrantët nga rajoni tërhiqen nga lidhjet familjare dhe mundësitë për biznes, ndërsa ata nga Azia vijnë kryesisht për punë përmes kontratave të sponsorizuara. Paralelisht, po rritet interesi edhe nga nomadët dixhitalë, pensionistët dhe sipërmarrësit e huaj, të joshur nga kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe politikat lehtësuese të vizave.

Në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa nga të huajt po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Zonat më të preferuara për investim mbeten Tirana qendrore, veçanërisht Blloku dhe Komuna e Parisit, si dhe bregdeti shqiptar, duke përfshirë Sarandën, Vlorën, Durrësin dhe Rivierën me Himarën, Dhërmiun e Ksamilin.

Të dhënat tregojnë se rreth 61% e blerësve të huaj të pronave janë shtetas të Bashkimit Evropian. Një prani e konsiderueshme vihet re edhe nga qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët përfitojnë nga fleksibiliteti i qëndrimit dhe mundësitë për menaxhimin e pronave.

Edhe pse në krahasim me vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia rritja mbetet e moderuar, Shqipëria po konsolidohet gradualisht si një destinacion tërheqës për të huajt që kërkojnë të jetojnë, punojnë dhe investojnë.

Noizy dhe i ati dëshmojnë në GJKKO për bandën e Laert Haxhiu

Këngëtari i njohur Rigels Rajku, i njohur si “Noizy”, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj bandës së Laert Haxhiut.

Në këtë çështje, dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, ka hedhur dritë mbi disa prej krimeve të dyshuara të grupit, mes të cilave edhe vendosja e tritolit në lokalin në pronësi të këngëtarit.

Gjithashtu, si dëshmitar në këtë proces është paraqitur edhe babai i Noizyt, Bashkim Rajku.

Megjithatë, seanca gjyqësore nuk është zhvilluar dhe është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 13 maj, në orën 09:00.

Policia me plan masash, paralajmërohen ndëshkime të forta për shoferët e pabindur

Në një konferencë për mediat, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu ka folur për masat shtesë të marra lidhur aksidentet rrugore.Duke u nisur nga aksidenti tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe u plagos edhe një tjetër, ai theksoi se do të ketë një bashkëpunim me të gjitha strukturat për të parandaluar shkeljet.

Ai theksoi se 27 000 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, ndërsa rreth 60 000 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo për drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse.Në rrugët interurbane, policia nuk do të ndalojë automjetet pa arsye, por do të mbështetet kryesisht në teknologji dhe patrulla të lëvizshme, ndërsa shkeljet do të regjistrohen dhe gjobat do të pasqyrohen në kohë reale në sistemin e e-Albania.

Patrullat do të ndërhyjnë vetëm në rastet e sjelljeve agresive në rrugë, shpejtësive të larta apo manovrave të rrezikshme.

Shërbimet e Policisë në rrugët interurbane, në zbatim të telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm, për të mos ndaluar pa shkak, automjetet në rrugët interurbane, pra në akset rrugore nacionale, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme dhe shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të verbalizohen në masa administrative, të cilat do të pasqyrohen në kohë reale në e-Albania.

Patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi dy deri në trefish, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Njëkohësisht do të bashkëpunohet me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, me qëllim që shkeljet e konstatuara t’i kalojnë Policisë Rrugore, për të plotësuar masat administrative.

Për sa i përket qendrave urbane, shërbimet e Policisë do të vijojnë me grupe kontrolli për testet e alkoolit, kontrollet për shpejtësi, parakalimet e gabuara, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, përdorimin e celularit dhe të rripit të sigurimit.

Njëkohësisht, parkimet e gabuara do të jenë në qendër të vëmendjes, duke përdorur edhe mjetet ngritëse për parkimet në korsitë e dedikuara, ku bllokohet lëvizja e lirë e automjeteve apo e këmbësorëve.

Janë analizuar të gjithë treguesit e performancës për 4-mujorin e vitit 2026, krahasuar me 4-mujorin e vitit 2025. Pavarësisht se ka një përmirësim të lehtë, përsëri sjelljet agresive në rrugë duke shkaktuar aksident me pasojë humbjen e jetës apo plagosjen, janë shumë shqetësuese.

Nga analiza e bërë rezulton se dinamika dhe shkaqet e aksidenteve, janë pothuajse të njëjtat si për 4-mujorin e vitit të kaluar.

Përgjatë këtij 4-mujori, si rezultat i monitorimit të qarkullimit, janë arrestuar 1009 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

82 100 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varojnë nga 20 km/orë mbi normën e lejuar deri në trefish të normës së lejuar.

815 drejtues automjetesh nuk kanë asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para.

27 000 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, rreth 60 000 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo për drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse.

160 000 masa administrative janë vendosur për parkime të gabuara dhe 85 000 për shkelje të ndryshme.

Sipas statistikave, dallohet qartë se numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.

Të gjithë treguesit e 4-mujorit të këtij viti tregojnë se ka rritje të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Njëkohësisht janë evidentuar drejtuesit e automjeteve me shkelje të përsëritura dhe iu është kërkuar strukturave të Policisë Rrugore, që të marrin masa të menjëhershme për monitorimin dhe mbajtjen në kontroll të vazhdueshëm të këtyre drejtuesve, që janë shkelës të përsëritur të rregullave të qarkullimit, me pasojë për jetën dhe shëndetin.

Nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se:

Detyrat e vendosura në Telegramin nr. 3707, datë 10.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Mbi marrjen e masave për garantimin e qarkullimit të pandërprerë të mjeteve”, kanë të bëjnë me mosndalimin e automjeteve në akset rrugore nacionale, pa shkak, duke krijuar imazh të keq.

Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike.
Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor.

Gjithashtu, të organizojnë pika kontrolli në qendrat urbane, sipas kushteve të sigurisë, në drejtimin e shefave të seksioneve dhe shefave të sektorëve të Policisë Rrugore, sipas planeve të dedikuara me objekt konkret (kontrolle për pije alkoolike, përdorimin e celularëve, kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve, mjeteve debitore dhe “Alert”, etj.)

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Çdo sjellje agresive në rrugë apo ndaj punonjësve të Policisë do të ndëshkohet maksimalisht, me të vetmin qëllim: rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.

Digjet nje makin në aksin Berat–Lushnjë, 3 persona shpëtojnë pa lëndime


Një automjet është përfshirë nga flakët në aksin rrugor Berat–Lushnjë, duke shkaktuar panik tek udhëtarët, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Sipas informacioneve paraprake, në mjet udhëtonin tre persona, të cilët kanë arritur të dalin në kohë, duke shpëtuar pa pësuar lëndime. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa dyshohet për një defekt teknik.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe normalizimin e situatës.