SPAK urdhëron kthimin në burg të Jorgo Goros, shoqerohet nga policia

Policia e Vlorës ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për ndalimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.

Mbrëmjen e së martës, Goro është shoqëruar në ambientet e Policisë së Vlorës, ku ndodhet aktualisht.

Vendimi vjen pas kërkesës së SPAK për rikthimin e tij në burg, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg. Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga përllogaritjet rezulton se Goros i kanë mbetur edhe 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur. Ai ishte liruar më 29 gusht të këtij viti.

Më herët, urdhri për ekzekutimin e vendimit i ishte përcjellë Policisë së Shtetit, por nuk ishte zbatuar menjëherë. Ndërkohë, përmes avokatëve mbrojtës, Goro ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme revokimin e zbatimit të vendimit.

Më 25 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin për Goron, lidhur me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës. Ndërsa më 30 korrik 2025, ai u dënua me 2 vite burg për “shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të ushtruar funksione publike.

Ai është kallëzuar nga Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016 Goro i ka kaluar 4263 m² tokë pasuesit të tij në detyrë, Arqile Bollano.

15-vjeçari p*rplaset qellimisht me makinën e policisë në Vlorë, pl*goset një efektive

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ku një adoleshent 15-vjeçar ka përplasur me dashje një automjet policie, duke lënë të plagosur një punonjëse të policisë.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri nuk i është bindur urdhrit të uniformave blu për të ndaluar në zonën e Çoles dhe është larguar me shpejtësi, duke u vënë në ndjekje nga policia. Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, ai ka goditur automjetin e forcave të rendit, duke shkaktuar përmbysjen e tij.

Si pasojë e përplasjes, një efektive e policisë ka mbetur e lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr trajtim mjekësor.

Në aksident është përfshirë edhe një automjet i tipit “Benz”, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga ky mjet.

I mituri është shoqëruar në komisariat, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Anëtari i Këshillit Bashkiak: “Patosi u përket socialistëve, jo pazareve”

Anëtari i Këshillit Bashkiak në zonën Zharrëz, Erald Çepele, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën në Bashkinë Patos, duke ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit dhe përfaqësimit politik.

Në deklaratën e tij, Çepele shprehet se prej vitit 2007, kur drejtimi i bashkisë iu besua LSI-së, vendimmarrja është larguar nga baza e socialistëve, ndërsa janë imponuar kandidatura që, sipas tij, nuk burojnë nga kontributi, por nga pazare politike.

Ai thekson se investimet, punësimet dhe emërimet në poste kyçe nuk bazohen në meritë, por në interesa dhe afërsi, ndërsa përgjegjësia për rezultatet bie mbi Partinë Socialiste dhe mbështetësit e saj.

Sipas Çepeles, Patosi ka qenë historikisht një bastion i së majtës, por është përballur me nënvlerësim dhe mungesë përfaqësimi të figurave me kontribute reale brenda Partisë Socialiste.

Në të njëjtin reagim, ai shpall ambicien për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë Patos në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj kërkesave të socialistëve dhe qytetarëve për ndryshim dhe drejtim më të drejtë.

Në përfundim, Çepele nënvizon nevojën për një drejtim që buron nga baza dhe për rikthimin e meritokracisë dhe zërit të socialistëve në Patos, Zharrëz dhe Ruzhdie.

Postimi i Plote i Erald Cepele

Patosi u përket socialistëve, jo pazareve

Ka ardhur momenti të flitet hapur dhe pa dorashka.
Që prej vitit 2007 kur Bashkia Patos ju la LSI, vendimmarrja në Patos është larguar nga baza dhe nga socialistët që për vite me radhë kanë mbajtur këtë qytet dhe këtë parti në këmbë. Sot shohim kandidatura të imponuara, emra që nuk burojnë nga sakrifica dhe kontributi, por nga pazaret politike.
Investimet vendosen sipas interesit të individëve, punësimet dhe emërimet në poste kyçe nuk bëhen sipas meritës, dhe vlerësimet nuk matën me kontribut, por me afërsi dhe interesa. Me pak fjalë, siç thotë një fjalë e urtë: “Punon kali, dhe ha gomari.”
Ndërkohë, kur rezultatet nuk dalin mirë, Partia Socialiste mban koston. Përgjegjësia bie mbi bazën, ndërsa drejtuesit vendorë shpesh nuk japin llogari. Ky keqmenaxhim ka pasoja reale edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Por Patosi nuk është një bashki e dorës së dytë. Është një qytet që ka votuar majtas për dekada, ka duruar dhe ka mbështetur Partinë Socialiste, dhe shpesh ka marrë nënvlerësim dhe emërime të imponuara.
Brenda Partisë Socialiste ka gra dhe burra të përgatitur, me kontribute të vërteta, që shpesh mbahen larg dhe injorohen. Kjo duhet të marrë fund. Nuk mund të vazhdohet me emërime që shkelin meritën dhe zërin e socialistëve.
Si socialist me kontribute ndër vite, më lind sot e drejta të shpreh hapur ambicien time për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë Patos në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Kjo ambicie nuk lind vetëm nga angazhimi dhe kontributi im prej 18 vitesh në Partinë Socialiste, por edhe nga sugjerimet dhe kërkesat e shumë miqve, shokëve, socialistëve dhe votuesve që kërkojnë ndryshim dhe drejtim të drejtë për qytetin.
Jo si ambicie personale, por si detyrim ndaj kontributit tim dhe si përgjigje ndaj zërit të socialistëve që kërkojnë ndryshim.
Patosi, Zharrëza dhe Ruzhdia kanë nevojë për një drejtim që buron nga njerëzit, për meritë, dinjitet dhe rikthim të zërit të socialistëve. Sepse një parti është e fortë kur dëgjon bazën, dhe një qytet ecën përpara vetëm kur drejtohet me drejtësi.

Makina p*rpl*s një grua në Transballkanike, shoferi largohet nga vendi i ngjarjes

Një aksident rrugor është regjistruar pak orë më parë në rrugën Transballkanike, pranë qytetit të Vlorës, ku një automjet ka përplasur një grua.

Sipas informacioneve paraprake, e lënduara është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa nuk dihet ende gjendja e saj shëndetësore.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, një automjet tip “Benz” me targa gjermane, ka braktisur makinën dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Spiropali/“Kam zgjedhur të hesht”, reagim i fortë publik mes debateve dhe akuzave

Elisa Spiropali ka reaguar publikisht pas debatit dhe interpretimeve që po qarkullojnë për të në media dhe forume. Ajo thekson se heshtja e saj nuk është mungesë përgjigjeje, por një zgjedhje për të vendosur kufij mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar.

Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

Fitorja nuk merret, ajo provohet.

Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

Arrestime në Fier dhe Lushnjë: Dh*në në banesë dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur

Policia e Fierit ka vënë në pranga dy shtetas në dy raste të ndara, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin J. V., 31 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, i cili dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e një 31-vjeçareje dhe, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Ndërkohë, në Lushnjë, u arrestua shtetasi A. H., 25 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Gjatë shoqërimit në polici, ai ka kundërshtuar me forcë efektivët.

Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Rama mbledh të premten kryebashkiakët, nis turi 9-javor “Punët për Shqipërinë”

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive në vend, në kuadër të turit kombëtar të Partisë Socialiste “Punët për Shqipërinë”. Takimi do të mbahet në Tiranë dhe është planifikuar të nisë në orën 11:00.

Sipas burimeve turi është pjesë e strategjisë së komunikimit të socialistëve dhe do të zgjasë 9 javë, ku çdo javë do të ketë në fokus një temë të veçantë.

Ndër çështjet kryesore që pritet të diskutohen janë integrimi në Bashkimin Europian, ekonomia, pagat dhe punësimi, turizmi, kultura dhe diaspora, si edhe arsimi, bujqësia dhe siguria ushqimore.

Ky tur vjen pas nisjes së takimeve të Ramës me Asambletë e Partisë Socialiste, të cilat kanë filluar që prej javës së kaluar, si pjesë e organizimit dhe koordinimit të kësaj nisme në nivel kombëtar.

Skënder Hita merr detyrën si kryepolic: “Do pastrojmë radhët nga shkelësit e ligjit”

Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke shpallur prioritetet e tij kryesore në krye të institucionit. Në fjalën e mbajtur pas betimit, Hita theksoi se një nga sfidat më të rëndësishme do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga vetë radhët e policisë.

Ai u shpreh se do të punojë për të forcuar besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe për të rritur nivelin e sigurisë në të gjithë vendin.

“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, si dhe forcimi i rendit dhe sigurisë, janë misioni im,” deklaroi Hita.

Në fjalën e tij, ai falënderoi gjithashtu kryeministrin dhe qeverinë për besimin, si dhe efektivët e policisë për punën e tyre në terren, duke e cilësuar këtë moment si një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij.