Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, është arrestuar këtë të premte gjatë një operacioni të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Në pranga kanë rënë edhe dy specialistë policie, ndërsa burime paraprake bëjnë me dije se priten edhe arrestime të tjera.
Operacioni është shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, pas dyshimeve për përfshirje ose tolerim të ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, një nga zonat më të frekuentuara turistike të jugut të vendit.
Sipas burimeve hetimore, AMP po verifikon rastet e fundit të ndërtimeve të paligjshme dhe rolin që mund të kenë pasur efektivë të policisë lokale në mosveprimin ndaj tyre.
Një ditë më parë, Policia e Sarandës arrestoi 8 persona që dyshohet se po kryenin ndërtime pa leje pranë bregdetit. Në kërkim është shpallur edhe pronarja e truallit ku po zhvilloheshin punimet.
Mes emrave të përfshirë në hetim është edhe Blerim Tafciu, shef i krimeve, i cili rezulton i shpallur në kërkim.










