Qeveria miraton 39 zona zhvillimi me përparësi në katër bashki

Në mbledhjen e saj të sotme, qeveria ka miratuar 39 zona për zhvillim me përparësi, të shpërndara në bashkitë Sarandë, Tropojë, Gramsh dhe Kuçovë.

Pjesa më e madhe e këtyre zonave i përket Bashkisë Gramsh, ku janë përcaktuar 16 zona me një sipërfaqe të konsiderueshme që shtrihet në disa njësi administrative si Lenie, Kukur, Kodovjat, Skënderbegas, Pishaj, Tunjë dhe të tjera. Këto zona përfshijnë dhjetëra fshatra dhe synojnë të nxisin zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik në këtë territor.

Edhe Bashkia Kuçovë përfitoi një numër të lartë zonash, me 19 të tilla, kryesisht në njësitë administrative Kozare, Perondi dhe Lumas. Ndryshe nga Gramshi, këto zona kanë sipërfaqe më të vogla, por janë të përqendruara dhe me potencial për zhvillim lokal.

Në jug të vendit, Bashkia Sarandë ka dy zona të miratuara, të përqendruara në zonat kadastrale të Gjashtës dhe Çukës, me fokus të qartë në zhvillimin urban dhe turistik.

Ndërsa në veri, Bashkia Tropojë përfiton dy zona të mëdha zhvillimi, përfshirë “Lugun e Thiut” dhe bjeshkët “Kucaj – Sylbicë – Dobërdol”, me sipërfaqe të gjera që lidhen kryesisht me turizmin malor dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Vendimi i qeverisë synon të orientojë investimet dhe politikat zhvillimore në këto territore, duke i dhënë prioritet zonave me potencial ekonomik dhe strategjik.

Rama: Kompani publike në tregun e naftës, synohet çmim sipas bursës

Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria synon të hyjë drejtpërdrejt në tregun e naftës përmes një kompanie publike, me objektivin për të garantuar çmime më të drejta për konsumatorët. Deklarata u bë gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë nr.4 në Tiranë.

Sipas Ramës, kompania publike do të ketë rol aktiv në treg duke synuar vendosjen e një çmimi “real”, të bazuar mbi referencat e bursës ndërkombëtare, duke shmangur abuzimet dhe deformimet në treg.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ligji i ri për rezervat e naftës është në proces konsultimi, ndërsa paralelisht po ndërmerren masa për formalizimin e tregut. Një nga këto masa është vendosja e një sistemi të ri për identifikimin e karburantit, përmes një ngjyruesi të ri kimik që, sipas tij, do të jetë i pamanipulueshëm.

Kryeministri theksoi se aktualisht një pjesë e tregut të naftës në Shqipëri operon jashtë kontrollit të plotë shtetëror, përfshirë edhe fenomenin e naftës tranzit që hyn në vend dhe më pas shitet në mënyrë të paligjshme brenda territorit.

Për të adresuar këtë problem, qeveria shqiptare po bashkëpunon me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku shteti shqiptar mban shumicën e aksioneve, me synim monitorimin më efikas të qarkullimit të karburantit dhe rritjen e transparencës në treg.

Masat e paralajmëruara pritet të kenë ndikim në uljen e informalitetit dhe stabilizimin e çmimeve të karburanteve në vend.

Miratohet rishtypja e kartëmonedhës 5000 lekë

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor 20 Lekë dhe kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor 5000 Lekë. Vendimet përkatëse që   parashikojnë rishtypjen e monedhës metalike 20 Lekë dhe kartëmonedhës 5000 Lekë, kanë për qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare. Rishtypja e kartëmonedhave dhe monedhave është një procedurë e zakonshme për bankat qëndrore të cilat kanë përgjegjësinë e furnizimit të sistemit monetar me para.

Largohet drejtori i burgjeve Klevis Qosja

Klevis Qosja është larguar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Sipas burimeve, vendimi i është komunikuar së fundmi Qoses, ndërsa nuk janë bërë ende publike arsyet zyrtare të largimit të tij.

Adriatik Kupi është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Kupi ka mbajtur detyrën e administratorit të Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë.

Ai ka qenë edhe drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

14-vjeçari p*rplasi makinën e policisë ku u pl*gosen 2 efektivë reagon policia

Një 14-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi drejtonte automjetin në mënyrë të rrezikshme dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për ndalim, duke shkaktuar edhe plagosjen e dy punonjësve të policisë.

Ngjarja ndodhi rreth mesnatës në lagjen “24 Maji”, ku shërbimet e Patrullës së Përgjithshme konstatuan një automjet që kryente manovra të rrezikshme. Pavarësisht sinjalit për të ndaluar, i mituri rriti shpejtësinë dhe tentoi të godiste efektivët.

Pas disa minutash ndjekjeje, në zonën e “Kinoteatrit”, ai goditi një automjet policie, duke lënë të dëmtuar dy efektivë në detyrë. Më pas, 14-vjeçari braktisi mjetin dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u vu në pranga.

Dy punonjësit e policisë morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Veprimet procedurale ndaj të miturit u kryen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe nënës së tij, në përputhje me legjislacionin për të miturit. Automjeti u bllokua, ndërsa pronares së mjetit (nënës së tij) iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Drejtimi i parregullt i automjetit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Policia e Shtetit apelon ndaj prindërve të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë drejtimin e mjeteve nga të miturit, pasi përbën rrezik serioz për jetën dhe sigurinë rrugore.

DOSJA “BANKERS”/ GJKKO ndryshon masat e sigurisë për 4 prej të pandehurve!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për katër të pandehur në dosjen “Bankers”.

Bëhet fjalë për shtetasit Leonidha Çobo, Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang, për të cilët gjykata vendosi “ndalim të daljes jashtë vendit” dhe “detyrim për t’u paraqitur”.

Kërkesa për zbutjen e masës është bërë nga prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella, pasi ka përfunduar afati 9-mujor i paraburgimit. Ndërkohë, avokatët mbrojtës kishin kërkuar shuarjen e plotë të masës së sigurisë.

Në këtë dosje ka edhe persona të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë.

Ndaj katër të pandehurve rëndojnë disa akuza, përfshirë “krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “fshehje të të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “shpërdorim detyre” dhe “moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.

Hetimet për çështjen “Bankers Petroleum” nisën pas dyshimeve se kompania, e cila operon prej më shumë se 20 vitesh në zonën Patos-Marinzë, ka shmangur detyrimet tatimore përmes skemave të dyshuara financiare.

Sipas të dhënave hetimore, kompania ka deklaruar humbje për rreth 20 vite me radhë, në vlerë totale prej 11.7 miliardë lekësh, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka eksportuar dhe shitur naftë në vlerën e 532 miliardë lekëve, duke përfituar edhe rimbursim të TVSH-së.

87 mln euro për naftë pa taksa në bujqësi në 5 vite, skema mbyllet në 2026

Gjatë pesë viteve të fundit, shteti shqiptar ka akorduar rreth 87 milionë euro për subvencionimin e naftës në bujqësi, duke u mundësuar fermerëve furnizimin pa përfshirjen e taksave. Skema, e nisur në vitin 2021, synonte uljen e kostove dhe rritjen e prodhimit në sektorin bujqësor, si dhe formalizimin e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar fermerët paguan rreth 76.3 lekë për litër naftë, ndërsa 97.8 lekë për litër u mbuluan nga buxheti i shtetit. Çmimi referencë i naftës ishte 174.1 lekë/litër me TVSH, sipas INSTAT.

Rritje e përfituesve ndër vite

Skema ka përfshirë një numër në rritje fermerësh. Në vitin 2021 përfituan rreth 19,225 fermerë, ndërsa në 2022 ky numër u rrit në 34,731. Kulmi u arrit në vitin 2023, me mbi 54 mijë përfitues dhe 12.8 milion litra naftë të subvencionuar. Në vitet 2024 dhe 2025 përfituan përkatësisht 52,195 dhe 50,062 fermerë.

Ndikimi në formalizim

Përfitimi nga skema ishte i kushtëzuar me regjistrimin dhe pajisjen me NIPT, duke e kthyer atë edhe në një instrument për formalizimin e sektorit bujqësor. Kjo ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi aktivitetin në këtë sektor.

Ndryshimet për vitin 2026

Nga viti 2026, skema e naftës pa taksa nuk do të vijojë më. Qeveria ka vendosur të riorientojë mbështetjen drejt formave të tjera financimi, si kompensimi me 10% për faturat, rritja e fondeve për blegtorinë dhe mbështetja për mbrojtjen biologjike në sera.

Kjo e fundit synon reduktimin e përdorimit të pesticideve, përmes metodave më të qëndrueshme dhe përdorimit të insekteve të padëmshme për kontrollin e dëmtuesve.