Belinda Balluku: PS në Fier nis fazë të re riorganizimi pas fitores historike

Partia Socialiste në qarkun e Fierit ka zhvilluar mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar, duke shënuar nisjen e një faze të re riorganizimi dhe rienergjizimi të strukturave. Drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku, e cilësoi fitoren në Fier si një moment besimi të qytetarëve, por edhe si një përgjegjësi për të vijuar punën më afër komunitetit.

Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se objektivi kryesor mbetet forcimi i Partisë Socialiste në terren dhe rritja e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Sipas saj, strukturat e PS do të jenë çdo ditë pranë njerëzve, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërtuar politika që i përgjigjen nevojave reale të komunitetit.

Ajo nënvizoi se forca e Partisë Socialiste buron nga mbështetja qytetare, duke shtuar se angazhimi do të vijojë për të qenë më të bashkuar dhe më efikasë në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të qarkut Fier.

Fondi 52 milion euro, miratohen skemat e reja të mbështetjes në bujqësi

Qeveria ka miratuar skemat e reja të mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, përmes një fondi prej 52 milionë eurosh. Këtë vit skema ka risi, ku ështe hequr mbëhstetja me naftë e fermerëve për punime të mekanizuara në bujqësi, si dhe është rritur financimi për krere në blegtori dhe bletari, duke përgjysmuar edhe tavanin e tufave që duhet të kenë fermerët për përfitim.

Konkretisht, referuar vendimit, do të mbështeten blegtorët në vlerën deri në 12 mijë lekë/krerë, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 krerë lopë dhe /ose mëshqerra. Për pjesën mbi 50 krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB)”;

Do të jepen  1500 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 krerë dele dhen/ose dhi.  Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
Për mbarështimin e bletarisë, mbështetja është dyfishuar dhe është përgjysmuar kufiri i zgjojeve që duhet të ketë një fermer. Konkretisht dhe do të jepen  2 mijë lekë për zgjua, për fermer/aplikant, me jo më pak se 25 zgjoje. Për pjesën mbi 150  zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;

Për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara, në vlerën deri në 7  mijë) lekëkrerë dosë/paradosë, për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 krerë dosa dhe/ose paradosa.
Për pjesën mbi 100 krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;

Për kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj) në serra dhe/ose luleshtrydheve në tunele plastike, masa e përfitimit është 70% e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 40 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Për fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, jepen 100 mijë lekë, në vitin e dytë dhe të tretë 150 mijë lekë, dhe 200 mijë lekë për fermë të certifikuar;
Për implementimin dhe certifikimin global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore.

Qeveria ka përcaktuar se 2.5 miliardë lekë nga fondi total do të shkojë për mbështetje për investime ku fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, do të përfitojnë 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 milion lekë; për ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3 tre milionë lekë për subjekt. Për  pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt dhe jo më pak se 50 mijë lekë për subjekt.

11.2 milionë lekë  do të shkojnë për pagesën e vlerës së palikuiduar për kontratat e mëparshme dhe për vlerat e palikuiduara.

Kur kërkesat që kanë plotësuar kriteret janë më të larta se fondi i vënë në dispozicion, atëherë fondi ndahet në mënyrë propocionale. 

Publikohet vendimi zyrtar për drejtuesin e ri të Policise se Shtetit

VENDIM PËR EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56, pikat 1 e 2, e 85, pika 10, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Skënder Hita emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Greqi/ E plag*si me a*më , arrestohet 27-vjeçari shqiptar

Policia greke në Volos ka arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, i dyshuar për plagosjen e rëndë të një shtetasi vendas pas një konflikti.

Sipas autoriteteve, i riu e ka goditur viktimën në sy me një pistoletë ajrore gjatë një debati të ashpër, duke i shkaktuar lëndime serioze.

Autori u lokalizua dhe u ndalua gjatë orëve të mesnatës, teksa udhëtonte me automjet. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një kartëmonedhë 50 euro të dyshuar si e falsifikuar.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, u zbuluan edhe armë të ftohta si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike.

Sipas mediave greke, ndaj 27-vjeçarit janë ngritur disa akuza, përfshirë plagosje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe qarkullim të monedhave të falsifikuara.

Zgjidhet Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zyrtarisht kryepolici vendit

Skënder Hita emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për dhënien e gradës “Drejtues Madhor” dhe emërimin e Skënder Hita në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se vendimi është marrë mbi bazën e meritës, profesionalizmit dhe integritetit. Hita rezultoi ndër kandidatët më të vlerësuar në një proces konkurrues, duke treguar përvojë të spikatur, vizion strategjik dhe angazhim ndaj ligjit dhe qytetarëve.

“Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Drejtimi i saj kërkon aftësi profesionale, ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë,” tha Lamallari, duke theksuar se nën drejtimin e Hitës, institucionet do të vazhdojnë të forcojnë performancën dhe të rrisin besimin e qytetarëve.

Sipas ministrit, emërimi i Hitës synon të përmbushë misionin e Policisë së Shtetit në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.

Arrestim për vjedhje në Patos dhe disa procedime penale në Fier e Lushnjë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos arrestuan shtetasin A. N., 30 vjeç, banues në fshatin Marinëz, Roskovec, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur 2 inverterë elektrikë në kabinën e një kompanie.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. L., 26 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-M. B., 47 vjeç, banues në Fier, pasi ka kanosur një shtetas, për motive pronësie;
-M. E., 31 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur një shtetas dhe i ka dëmtuar automjetin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Ç., 49 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se i ka vjedhur qenin, një shtetasi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Nafta rritet mbi 50% nga konflikti me Iranin

Tregjet financiare globale po përballen me presion të fortë, teksa çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka shënuar një rritje mbi 50% që nga fillimi i konfliktit me Iranin më 28 shkurt, duke kaluar nivelin e 116 dollarëve për fuçi.

Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet e aksioneve. Në Evropë, indekset kryesore pritet të hapen në rënie, me DAX të Gjermanisë që bie rreth 0.5%, FTSE 100 me 0.3% dhe CAC 40 i Francës gjithashtu në territor negativ.

Rëniet janë reflektuar më herët në Azi, ku Nikkei 225 i Japonisë humbi 4.5%, Kospi i Koresë së Jugut 3.2%, ndërsa Hang Seng dhe Shanghai Composite shënuan gjithashtu rënie.

Ndërkohë, tregjet amerikane kanë hyrë në territor korrigjimi, me Nasdaq 100 dhe Dow Jones që kanë rënë mbi 10% nga nivelet e tyre më të larta.

Shqetësimi kryesor i investitorëve lidhet me rrezikun e ndërprerjes së furnizimit global me naftë, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë botërore të energjisë.

Tensionet u shtuan më tej pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së Ishullit Kharg, terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit. Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje të fortë në rast të një ndërhyrjeje tokësore.

Lëkundje t*rmeti në Shqipëri, ja ku ishte epiqendra

Një tërmet me magnitudë 3.8 të shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në vend, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme në zonën qendrore të Shqipërisë.

Sipas të dhënave paraprake, epiqendra e tërmetit ka qenë mes Lushnjes dhe Elbasanit, rreth 10 kilometra larg Lushnjës dhe 28 kilometra nga Elbasani. 

Lëkundjet janë ndjerë të forta për disa sekonda, duke shqetësuar banorët e zonës, por pa raportime për dëme materiale apo persona të lënduar.