Rikonstruksioni i aksit Kombinat – Ndroq – Plepa, ARRSH përgatit dy tenderë të rinj

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë investimet në rrugën Kombinat – Ndroq – Plepa, duke planifikuar hapjen e dy procedurave të reja prokurimi për lotin 2 dhe lotin 3 të këtij aksi.

Sipas informacionit të publikuar, për lotin 2 është parashikuar një fond limit prej rreth 1.13 miliardë lekësh, ndërsa për lotin 3 rreth 1.46 miliardë lekë. Në total, vlera e investimit për këto dy segmente shkon afërsisht në 3 miliardë lekë. Tenderët pritet të shpallen gjatë këtij viti, ndërsa specifikat teknike dhe gjatësia e secilit lot do të bëhen të ditura në vijim.

Sa i përket lotit të parë, kontrata për zbatimin e punimeve është nënshkruar në shtator 2024, me kompanitë “Arifaj” dhe “Eurokos Holding” që kanë marrë përsipër realizimin e projektit për një vlerë prej 567.75 milionë lekësh pa TVSH.

Ky aks rrugor ka një rol të rëndësishëm në lidhjen e Tiranës me zonat jugore të vendit dhe shërben si alternativë ndaj autostradës Tiranë – Durrës. Për shkak të amortizimit ndër vite dhe densitetit të lartë të banimit përgjatë tij, ndërhyrja konsiderohet e domosdoshme për të përmirësuar qarkullimin dhe sigurinë rrugore.

Projekti për rikonstruksionin e rrugës zhvillohet paralelisht me zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, ndërsa i gjithë aksi Kombinat – Ndroq – Plepa ka një gjatësi prej rreth 28 kilometrash.

Gjykata e Fierit: Rritje e ndjeshme e çështjeve penale dhe alarm për dhunën në familje

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier zhvilloi analizën vjetore për vitin 2025, ku u evidentuan sfidat dhe problematikat kryesore të sistemit gjyqësor në këtë qark.

Në takim morën pjesë drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe rendit, ndërsa kryetari i gjykatës, Noel Veizi, theksoi se viti ka qenë i vështirë për shkak të mungesës së stafit dhe kushteve të papërshtatshme infrastrukturore.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje prej 71.5% e çështjeve penale, me një theks të veçantë te rastet e dhunës në familje, të cilat kanë arritur nivelet më të larta të pesë viteve të fundit.

Gjykata mbulon një territor me 6 bashki dhe mbi 240 mijë banorë, ndërsa numri i çështjeve të mbartura vijon të mbetet i lartë.

Problem mbetet edhe mungesa e ambienteve dhe sallave gjyqësore, çështje që prej vitesh ka hapur debat për nevojën e ndërtimit të një godine të re për gjykatën e Fierit.

Gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar gjithsej 10,764 çështje për gjykim, janë shqyrtuar 5,677 prej tyre, ndërsa janë dënuar 971 shtetas, mes të cilëve edhe 17 të mitur.

Motori perplaset me makinën ne Berat-Dimal, rrezohet pasagjeri duke humbur jeten

Një aksident me pasojë vdekje është regjistruar në aksin nacional Berat–Dimal, në fshatin Otllak, ku një motomjet është përplasur me një automjet tip “BMW” që ishte në lëvizje.

Si pasojë e përplasjes, pasagjeri i motorit ka humbur jetën në vend, pasi është rrëzuar në rrugë pas goditjes. Viktima është identifikuar si Adrian Azemi, 57 vjeç, banues në fshatin Lapardha.

Ndërkohë, drejtuesi i motorit, Alban Gajda, 35 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Tentoi të shembë shtëpinë e motrave me ekskavator, arrestohet 54-vjeçari

Një konflikt mes familjarëve në Cërrik ka përfunduar në një ngjarje të pazakontë, ku një 54-vjeçar dyshohet se ka tentuar të shkatërrojë banesën e motrave të tij duke përdorur një ekskavator.

Sipas policisë, ngjarja lidhet me motive vetëgjyqësie, ndërsa rrethanat e plota pritet të zbardhen nga hetimet në vijim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik kanë ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale A. P., i cili akuzohet se ka dëmtuar pronën e motrave të tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Fier dhe Lushnjë, disa ngjarje kr*m*nale dhe procedime penale në hetim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier shpallën në kërkim shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë një konflikti, ka plagosur me thikë, shtetasin E. G., 35 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen G. B.(K)., bashkëshortja e shtetasit A. K., pasi dyshohet se ka penguar zbulimin rrethanave të ngjarjes.

Specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin gjerman S. Ch., 31 vjeç, banues në Gjermani, pasi dje, duke drejtuar motomjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi A. P., 70 vjeç, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi A. P. po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. G., 30 vjeç, banues në fshatin Daullas, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili është i pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-V. R., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndotur ambientin duke hedhur mbetje të ndryshme në një sipërfaqe toke;
-D. A., 37 vjeçe, banuese në fshatin Plug, Lushnjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, pasi dyshohet se nuk ka mjekuar macen që mbante.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Tensionet SHBA-Iran, çmimet e naftës rriten sërish

Çmimet e naftës u rritën të hënën, duke qëndruar mbi nivelin e 100 dollarëve për fuçi, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, që vazhdon të kufizojë furnizimet globale.

Kontratat e ardhshme për Brent crude oil u rritën me 67 cent, ose 0.6%, duke arritur në 108.84 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate u rrit me 65 cent, gjithashtu 0.6%, në 102.59 dollarë për fuçi. Rritja vjen pas humbjeve të ndjeshme të regjistruara të premten.

Analistët theksojnë se tregu mbetet i ndikuar nga pasiguria gjeopolitike dhe ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit. “Tregu më i gjerë mbetet i mbështetur fort nga ndërprerjet e furnizimit dhe pasiguria gjeopolitike”, u shpreh Priyanka Sachdeva, analiste në Phillip Nova.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe tensionet mes fuqive kryesore vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, duke mbajtur çmimet në nivele të larta.

Aksidenti tr*gjik në Durrës, policia largon familjen e autorit nga zona për të shmangur tensionet

Screenshot

Policia e Durrësit ka marrë masa për largimin e familjes së drejtuesit të automjetit të përfshirë në aksidentin e rëndë ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës dhe hakmarrje nga palët.

Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i automjetit është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes pas aksidentit, me pretendimin se ka pasur frikë nga reagimi i qytetarëve, por më pas është konstatuar dhe shoqëruar nga patrullat e Policisë në komisariat, ku edhe është arrestuar.

Hetimet paraprake dyshojnë se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur.

Nga verifikimet rezulton gjithashtu se shoferi ka një historik shkeljesh të mëparshme të Kodit Rrugor, përfshirë parakalim të gabuar në vitin 2020 dhe dy raste të tejkalimit të shpejtësisë në vitin 2022, për të cilat i ishte pezulluar leja e drejtimit.

Ngjarja ka sjellë reagime dhe masa të menjëhershme nga Policia e Shtetit, e cila pezulloi disa drejtues të Policisë së Durrësit për performancë të dobët dhe hapi një hetim disiplinor për të verifikuar përgjegjësitë institucionale në menaxhimin e rasteve të mëparshme.

Ndërkohë, në lagjen nr. 15 të qytetit, ku ndodhi aksidenti, situata mbetet e ndjeshme, ndërsa familjet e viktimave po marrin ngushëllime nga qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve.

Dy fëmijët humben jetën në Durrës, ngrihen dyshime për zbatimin e ligjit ndaj shoferit para aksidentit fatal

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër, pasi u përplasën nga një automjet.

Sipas komunikatave zyrtare, drejtuesi i mjetit, Nikoll Radaçi, rezulton me histori shkeljesh të përsëritura të Kodit Rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie dhe parakalim të gabuar. Në vitin 2022, atij i është pezulluar dy herë leja e drejtimit për nga një muaj.

Megjithatë, sipas pretendimeve që po qarkullojnë pas ngjarjes, në rastin e dytë masa e marrë nuk do të ishte në përputhje me parashikimet e nenit 140 të Kodit Rrugor, i cili në rast shkeljesh të përsëritura brenda dy viteve parashikon pezullim më të gjatë të lejes së drejtimit.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të ligjit dhe veprimet administrative të policisë rrugore në atë periudhë.

Pas aksidentit fatal, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka marrë masa të menjëhershme duke pezulluar nga detyra drejtues të Policisë së Durrësit, përfshirë drejtorin e qarkut dhe zyrtarë të rendit dhe policisë rrugore, deri në përfundim të hetimeve.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 15 të qytetit, ku tre fëmijë po luanin në trotuar kur u përplasën nga një automjet tip “Mercedes-Benz ML”. Dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndodhet në trajtim mjekësor dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj drejtuesit të mjetit rëndojnë disa akuza, përfshirë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit