Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Dublini raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një vlerësim të bazuar në fakte dhe të pandikuar nga perceptimet apo interesat e jashtme.
Duke iu referuar protestave për mbrojtjen e flamingove dhe çështjes mjedisore, Rama e cilësoi atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove” si një betejë të nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas kryeministrit, çështja mjedisore u amplifikua në median ndërkombëtare për shkak të klimës politike në SHBA dhe kundërshtisë ndaj Trumpit.
“Revolucioni i Flamingove është rezultat i një urrejtjeje kundër Trumpit. Nëse hija e Trumpit nuk do të ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore, atëherë nuk do të kishit dëgjuar për flamingot në Shqipëri. Të gjithë ata që urrejnë Trumpin gjetën bulevardin e Tiranës për të bërë këtë betejë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te projekti i investimit në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner, duke mohuar se investitori amerikan ka përfituar trajtim të privilegjuar nga qeveria shqiptare.
Rama tha se negociatat për projektin vijojnë dhe se publiku shqiptar duhet të jetë pjesë e procesit. Ai bëri të ditur se vetëm 8% e sipërfaqes së ishullit parashikohet të ndërtohet, ndërsa sipas tij, synimi i qeverisë është realizimi i një projekti që të kthehet në emblemë të Europës dhe jo në një investim spekulativ.
Kryeministri theksoi se Kushner nuk ka marrë trajtim të ndryshëm nga investitorët e tjerë vendas dhe të huaj. Ai shtoi se kur nisi komunikimi për projektin, fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane nuk ishte e sigurt.
Rama u shpreh se e kishte parë Kushnerin si një investitor amerikan që dëshironte të realizonte diçka për Shqipërinë, pavarësisht zhvillimeve politike në SHBA.










