Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit do të jetë një nga prioritetet e policisë, me fokus jo vetëm zbulimin e parcelave, por edhe goditjen e organizatave kriminale që qëndrojnë pas këtij aktiviteti.
Gjatë një konference të përbashkët me përfaqësues të Guardia di Finanza-s italiane, Hita bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë zhvilluar 31 operacione në këtë drejtim. Ai theksoi se aksionet do të vijojnë me synimin për të goditur të gjitha hallkat e veprimtarisë kriminale, nga financimi dhe kultivimi deri te shitja dhe trafikimi.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i Policisë së Shtetit është përfshirja e të miturve në aktivitetet e paligjshme. Për këtë arsye, gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit 2027, policia do të përqendrohet te masat parandaluese, me qëllim mbrojtjen e të rinjve nga përfshirja në rrjetet kriminale.
Hita garantoi se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, do të vijojë angazhimin për goditjen e krimit të organizuar.
Deklarata e plotë:
“Organizatën që po drejtoj do të thellojë rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke goditur me forcën e ligjit çdo hallkë të kësaj veprimtarie kriminale, që nga financimi dhe kultivimi deri tek shitja dhe trafikimi.
Lufta kundër kanabisit duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes, me qëllim që droga të mos përfundojë te të rinjtë.
Fokusi gjatë dy muajve të fundit dhe vitit të ardhshëm do ta kemi te parandalimi i përfshirjes së të miturve në këtë veprimtari kriminale.
Garantoj qytetarët dhe partnerët tanë se policia, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është e angazhuar maksimalisht për të goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti”, deklaroi Hita.










