Rreth 4.3 miliardë lekë do të vihen në dispozicion për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet përmes buxhetit të vitit 2027. Nga ky fond, 2.5 miliardë lekë do të shkojnë për vijimin e 74 objekteve të nisura gjatë vitit 2026, prej të cilave 24 janë në administrim të ministrisë dhe 50 në administrim të bashkive.
Një pjesë e rëndësishme e investimeve do të përqendrohet te mbrojtja nga përmbytjet, një fenomen që përsëritet çdo vit në Shqipëri dhe shkakton dëme të konsiderueshme ekonomike, veçanërisht për fermerët. Për vitin 2027 parashikohet zbatimi i 20 projekteve të investimit, me një vlerë totale prej 1 miliard lekësh, ose rreth 11 milionë euro.
Ndërhyrjet do të shtrihen në disa zona të vendit, me fokus rehabilitimin e argjinaturave, mbrojtjen e brigjeve të lumenjve nga gërryerjet dhe parandalimin e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe zonave të banuara. Sipas listës së detajuar të investimeve, projektet përfshijnë qarqet Fier, Lezhë, Korçë dhe Durrës, si dhe ndërhyrje në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman e Vjosë dhe në fushat torfike të Torrovicës dhe Maliqit.
Qarku Fier renditet ndër zonat ku janë parashikuar ndërhyrje të shumta, me gjithsej 7 projekte. Investimet përfshijnë rehabilitimin e lumit të Borshit, rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Bistricë në Çukë të Sarandës, mbrojtjen nga lumi Vjosë në Pishporo dhe Selenicë, si dhe rehabilitimin e argjinaturës mbrojtëse të kolektorit K17 në Butrint. Ndërhyrje janë parashikuar gjithashtu në lumin Shushicë, në Xhyher të Vlorës, dhe në tokat bujqësore të fshatit Kallarat në Himarë.
Në qarkun Lezhë janë planifikuar 5 projekte që synojnë mbrojtjen nga gërryerjet e lumenjve Mat dhe Kir, ndërhyrje në grykëderdhjen e përroit Grykë Manati në lumin Drin, si dhe mbrojtjen e brigjeve të Drinit në Bahçallëk të Shkodrës.
Ndërkohë, në qarkun Korçë janë parashikuar 6 projekte, të përqendruara kryesisht në lumenjtë Osum, Devoll dhe Shkumbin. Ndërhyrjet përfshijnë mbrojtjen nga përmbytjet në lumin Devoll, poshtë Urës së Sheqerasit dhe në fshatin Dëshirë, mbrojtjen nga gërryerjet në fshatin Bitinckë, si dhe sistemimin dhe mbrojtjen e brigjeve të lumenjve Osum dhe Shkumbin.
Në qarkun Durrës është parashikuar një projekt për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin, në segmentin Ballaj–Vilë-Bashtovë, me gjatësi rreth 22 kilometra.
Nga tabela e investimeve rezulton se 19 projektet konkrete në qarqe janë në vazhdim, ndërsa një tjetër zë është evidentuar si projekt i ri, me vlerë 300 milionë lekë. Në tërësi, investimet e planifikuara synojnë ndërtimin ose rehabilitimin e rreth 10 kilometrave argjinatura, me qëllim uljen e rrezikut nga përmbytjet dhe mbrojtjen e tokave bujqësore dhe zonave të banuara.
©neoalb










