PS mbledh Asamblenë të shtunën në Gjirin e Lalzit, Rama pritet të flasë për zgjedhjet vendore, Veliajn dhe ndryshimet në qeveri

Partia Socialiste po i jep dorën e fundit përgatitjeve për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor, në orën 10:30, në një resort në Gjirin e Lalzit.

Burime nga selia rozë i kanë bërë të ditur gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se në këtë mbledhje pritet të diskutohen disa çështje të rëndësishme politike, ku fokusi kryesor do të jetë përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Një prej temave që pritet të trajtohet është mobilizimi i strukturave socialiste për zgjedhjet, në një kohë kur vijojnë protestat kundër qeverisë, pavarësisht rënies së pjesëmarrjes në to.

Krahas strategjisë elektorale, kryesocialisti Edi Rama pritet të shpalosë edhe mënyrën se si do të përzgjidhen kandidatët e PS-së për kryetarë bashkish. Vëmendje të veçantë pritet të marrë gara për Bashkinë e Tiranës, ku mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale për kandidaturën që socialistët do të mbështesin në zgjedhjet e ardhshme.

Një tjetër çështje e ndjeshme është raporti mes Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Socialistët presin të dëgjojnë qëndrimin publik të kryeministrit për Veliajn, i cili pas transferimit në burgun e Fierit ka shfaqur hapur përplasjen me kreun e Partisë Socialiste.

Në diskutim mund të jetë edhe mocioni i Elisa Spiropalit, përmes të cilit ajo i kërkon Ramës hapjen e Partisë Socialiste dhe propozon një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.

Asambleja pritet të shihet gjithashtu si një moment ku mund të jepen sinjale për ndryshime në kabinetin qeveritar. Në shtator të vitit 2023, Rama e përdori këtë forum për të njoftuar ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij.

Mbetet në dorën e kryeministrit nëse do ta shfrytëzojë edhe mbledhjen e 14 nëntorit për ndryshime të rëndësishme në qeverinë e tij të katërt, në një kohë kur ajo po përballet me një sërë shqetësimesh politike dhe sociale, të nxitura edhe nga protestat e vazhdueshme.