PS i mbyll deren Veliajt per pjesmarrjen ne Asamble

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar kërkesën e Erion Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

I pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Balla deklaroi se Veliajn e ka mik, por theksoi se çështjet që lidhen me përballjen e tij me drejtësinë janë individuale.

Sipas Ballës, asnjë forum i Partisë Socialiste nuk mund të shërbejë si mburojë për një përfaqësues të saj që përballet me drejtësinë.

“Është pyetje që i duhet bërë Sekretarit të Përgjithshëm. Unë mendoj që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së janë çështje individuale. Asnjë forum në PS nuk është mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë”, u shpreh Balla.

Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e PS-së kundër masës së paraburgimit për personat që ndodhen në fazën e hetimeve dhe ndaj të cilëve akuzat nuk janë provuar.

“PS ka qenë, është dhe ngelet kundër masës së paraburgimit, kur një person është vetëm në fazën e hetimeve dhe kur akuzat ndaj tij nuk janë provuar”, deklaroi Balla.