Apeli dënon me 7 vite e 4 muaj burg ish-zyrtarin e policisë Oltion Bistri, konfiskohen pasuritë

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e policisë Oltion Bistri për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burgim.

Me këtë vendim, Apeli ka ndryshuar dënimin e dhënë nga GJKKO, e cila e kishte dënuar Bistrin me 3 vite burgim.

Sipas vendimit, për veprën penale të korrupsionit Bistrit i është caktuar dënimi me 5 vite burgim, ndërsa për pastrimin e produkteve të veprës penale 7 vite burgim. Në bashkim të dënimeve, masa përfundimtare u përcaktua në 11 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 7 vite e 4 muaj.

Apeli ka shpallur vendimet edhe për të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje. Behar Brajoviç është dënuar me 8 vite e 8 muaj burgim, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj, ndërsa Edmond Preka me 7 vite burgim, të gjitha me gjykim të shkurtuar.

Gjithashtu, gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit.