Përkeqësimi i kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur ka detyruar Kapitenerinë e Portit Detar të Vlorës të pezullojë lundrimin e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i lundrimit nis në orën 16:00 të kësaj të mërkure, 11 nëntor, dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të mëngjesit të së shtunës, 14 nëntor. Masa përfshin të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur.
Parashikimet meteorologjike flasin për erëra nga drejtimi jug-juglindje, me forcë 7-8 ballë dhe shpejtësi 20-35 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve pritet të arrijë nga 2 deri në 4.5 metra.
Për të shmangur rreziqet dhe situatat emergjente, autoritetet u kanë kërkuar subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse. Për shkak të motit të keq, trageti i linjës Vlorë-BRINDISI ka dalë në radë, në det të hapur, për të shmangur dëmtimet nga dallgët.
Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike dhe rikthimi i lundrimit për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të së shtunës, 14 nëntor.










