Ndërtimi i linjës së re hekurudhore që do të lidhë qytetin e Vlorës me aeroportin parashikohet të kushtojë 1.65 miliardë lekë. Fondi është pasqyruar në tabelën e investimeve publike me financim të brendshëm, që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2027, ndërsa financimi i projektit është planifikuar të nisë në vitin 2029.
Projekti, i emërtuar “Ndërtimi i linjës hekurudhore Vlorë–VIA”, është përfshirë si investim i ri. Për vitet 2027 dhe 2028 nuk parashikohen fonde, ndërsa për vitin 2029 është planifikuar një financim prej rreth 520.2 milionë lekësh. Pjesa tjetër, prej 1.13 miliardë lekësh, mbetet për t’u financuar në vitet pasardhëse.
Lidhja hekurudhore me aeroportin është pjesë e një projekti më të gjerë, që përfshin edhe rehabilitimin e linjës ekzistuese Rrogozhinë–Vlorë. Megjithatë, fondi prej 1.65 miliardë lekësh i parashikuar në projektbuxhet i referohet konkretisht ndërtimit të linjës së re Vlorë–Aeroport.
Në prill të vitit 2025, Hekurudha Shqiptare shpalli fituese kompaninë austriake ILF Consulting Engineers Austria për studimin dhe hartimin e projektidesë për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë–Vlorë dhe ndërtimin e lidhjes së re me aeroportin. Oferta fituese për këtë shërbim ishte 78.81 milionë lekë.
Në shkurt të vitit 2026, përfaqësues të Hekurudhës Shqiptare deklaruan për TV SCAN se kontrata për projektin paraprak përfundonte në qershor të po atij viti. Projekti do të përcaktonte gjurmën e lidhjes me aeroportin dhe zgjidhjen paraprake inxhinierike, mbi bazën e të cilave do të hapej gara ndërkombëtare për ndërtimin.
Dokumentet e procedurës së projektimit parashikojnë një linjë hekurudhore elektrike, me shpejtësi deri në 120 km/orë. Synimi është ndërthurja e transportit hekurudhor me atë ajror, duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroportin e Vlorës.NEOALB










