Eurodeputetja gjermane Paulus: Zëri i protestës do shkojë në Bruksel!

Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka vijuar me tone të ashpra deklaratat e saj gjatë protestës masive përpara Kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë shqiptare për ndryshime ligjore në favor të interesave private dhe oligarkëve.

Në fjalën e saj, Paulus tha se qytetarët shqiptarë po luftojnë jo vetëm për mbrojtjen e natyrës, por edhe për të drejtat demokratike dhe për t’u dëgjuar nga institucionet.

“Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre”, deklaroi ajo.

Eurodeputetja falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen, pavarësisht, sipas saj, përpjekjeve të qeverisë për t’i intimiduar.

Në fund të fjalës së saj, Paulus zbuloi edhe një prapaskenë nga Brukseli, duke pretenduar se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama për të mos votuar një amendament në Parlamentin Europian lidhur me rezolutën që kërkon moratorium.

“Tineke e përmendi rezolutën duke kërkuar moratorium. Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu! Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre”, u shpreh Paulus.