Dua Lipa martohet me Callum Turner në Londër

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me aktorin britanik Callum Turner në një ceremoni private të zhvilluar në Old Marylebone Town Hall, në Londër.

Në dasmën e organizuar në mënyrë diskrete morën pjesë vetëm familjarë dhe miq të ngushtë të çiftit. Në fotografitë e publikuara, Dua Lipa shfaqet elegante me një fustan të bardhë dhe kapelë, ndërsa Callum Turner kishte zgjedhur një kostum blu të errët.

Martesa vjen pas muajsh spekulimesh për planet e çiftit. Më herët, mediat kishin raportuar se Dua Lipa dhe Callum Turner po përgatitnin një festë madhështore treditore në Siçili të Italisë, me pjesëmarrjen e shumë personazheve të njohur të botës së muzikës, mes tyre Charli XCX dhe Tove Lo.

Megjithatë, çifti zgjodhi një ceremoni më intime në kryeqytetin britanik, larg vëmendjes së madhe mediatike.