Aksident tragjik në Kavallë, humbin jetën dy shqiptarë
Një aksident i rëndë rrugor në zonën e Nea Peramos, në Kavallë të Greqisë, u ka marrë jetën dy personave me origjinë shqiptare.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, 3 tetor, në rrugën që lidh Nea Peramos me zonën turistike të Ammolofëve. Një motocikletë dhe një skuter elektrik u përplasën me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur rëndë të dy drejtuesit.
Viktima e parë ishte një 34-vjeçar, i cili drejtonte motocikletën dhe ndërroi jetë pas përplasjes.
Ndërkohë, drejtuesi 36-vjeçar i skuterit elektrik u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës, ku u shtrua në Repartin e Terapisë Intensive. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai humbi jetën gjatë orëve të natës.
Sipas mediave lokale greke, dy viktimat ishin me origjinë shqiptare dhe njiheshin me njëri-tjetrin, ndërsa raportohet se ishin miq.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të plota mbi dinamikën e përplasjes.










