Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ngritjen e 10 grupeve të verifikimit nga administrata tatimore për të evidentuar dëmet e shkaktuara në bizneset e vogla në Tiranë gjatë protestave.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se në platformën e-Albania do të vihet në dispozicion një dritare e posaçme me emrin “Dëmi im”, ku subjektet e prekura do të mund të regjistrojnë dëmet dhe të ngarkojnë dokumentacionin përkatës, përfshirë fotografi dhe fatura.
Kryeministri tha se pas verifikimit të të dhënave dhe përpilimit të regjistrit të dëmeve, qeveria do të ndihmojë bizneset e prekura për të përballuar pasojat e dhunës.
Rama iu drejtua edhe të rinjve që po protestojnë, duke deklaruar se zëri i tyre do të dëgjohet me respekt. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të lejojë që protestat të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe akuzoi kundërshtarët politikë për nxitjen e akteve shkatërruese.
“Zëri i tyre, i të rinjve që sot kanë nevojë të protestojnë, do të dëgjohet me respekt. Por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, s’do të lejoj që të rrezikohet askush”, u shpreh Rama.










