Disa të rinj janë lënduar gjatë protestës në Tiranë, pasi dyshohet se janë qëlluar me plumba gome. Një ambulancë ka mbërritur në rrugën e Durrësit, ku protestuesve u është dhënë ndihma e parë.
Mbërritja e ambulancës është shoqëruar me tensione, pasi protestuesit kanë ndaluar automjetin dhe e kanë kontrolluar atë. Shkak për këtë veprim janë dyshimet e ngritura një ditë më parë se gazi lotsjellës mund të ishte hedhur edhe nga automjete të ambulancës.
Pas kontrollit, ambulanca është larguar nga vendi i protestës duke transportuar një prej të lënduarve për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, një tjetër protestues ka marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje. Sipas informacioneve paraprake, vetë protestuesit kanë kërkuar që të lënduarit të marrin ndihmën e parë në terren, pa u transportuar në spital.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë të rinj me shenja goditjeje në pjesë të ndryshme të trupit. Shkaku i saktë i lëndimeve dhe rrethanat e incidentit mbeten për t’u konfirmuar.










