Policia: 14 efektivë të plagosur nga sulmet gjatë protestës, 35 persona të shoqëruar

Policia e Shtetit njofton se 14 punonjës të saj janë plagosur si pasojë e përplasjeve që vijojnë prej disa orësh gjatë protestës në Tiranë. Deri më tani, 35 persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa vijon identifikimi i personave të dyshuar për akte dhune.

Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, duke kërkuar ndalimin e sulmeve ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të dëmtimit të pronës publike e private.

Sipas policisë, ushtrimi i dhunës dhe rrezikimi i jetës së punonjësve të rendit dhe qytetarëve nuk kanë lidhje me të drejtën për të protestuar, e cila garantohet me ligj.

Policia paralajmëron se personat përgjegjës për sulmet dhe shkatërrimet do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin. Shërbimet policore po vijojnë veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës.