BE diskuton nesër progresin e Shqipërisë, vendet anëtare pritet të vendosin kushte të reja

Këshilli i Bashkimit Europian pritet të zhvillojë të martën, në orën 10:00, një takim ku do të diskutohet raporti i ndërmjetëm për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Në fokus të diskutimeve do të jetë drafti final për ecurinë e negociatave të vendit, ku do të vlerësohet progresi në kapitujt e hapur dhe kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë për të vijuar më tej me procesin.

Sipas burimeve diplomatike, raporti fillestar pozitiv i Komisionit Europian ka pësuar ndryshime pas kërkesave të disa vendeve anëtare, të cilat kanë kërkuar përfshirjen e kritereve shtesë për Shqipërinë.

Më kritikë në diskutime pritet të jenë përfaqësuesit e Gjermanisë, Holandës dhe Rumanisë, të cilët do të fokusohen te lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe funksionimi i shtetit të së drejtës. Në dokument pritet të përfshihen gjithashtu çështje që lidhen me të drejtat e pakicave dhe zhvillimin ekonomik.

Miratimi i raportit IBAR konsiderohet vendimtar për vijimin e negociatave dhe diskutimet për mbylljen e kapitujve. Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv mbylljen e 10 kapitujve brenda vitit, ndërsa kryenegociatorja ka deklaruar më herët se dy prej tyre janë drejt përfundimit.

Në diskutimet e nesërme pritet të reflektohet edhe kërkesa e opozitës shqiptare për më shumë gjithëpërfshirje dhe konsensus politik në reformat kryesore, përfshirë reformën territoriale, Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.