Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) ka paralajmëruar për reshje intensive gjatë ditës së nesërme, të enjten, më 26 nëntor, në disa qarqe të vendit, duke ngritur alarmin për rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dherash.
Sipas parashikimit, reshjet më intensive priten në qarkun e Shkodrës, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Reshje intensive do të ketë gjithashtu në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave.
Ndërkohë, në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
IGJEUM paralajmëron gjithashtu për rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm, përfshirë Drin-Bunën, Matin, Ishmin, Erzenin, Shkumbinin, Semanin dhe Vjosën.
Në qarqet Elbasan dhe Fier parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa shtrëngata priten në të gjithë territorin e vendit.
Sa u përket temperaturave, të enjten ato do të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore.
Edhe era do të jetë një tjetër element problematik i motit. Ajo pritet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat bregdetare do të jetë e fortë deri shumë e fortë.










