Kryeministri Edi Rama ka folur për rrugëtimin europian të Shqipërisë gjatë një prononcimi për mediat në mbërritje të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian në Dublin të Irlandës.
I pyetur nga një gazetar nëse e konsideron ende veten personin e duhur për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian, apo nëse procesi do të përshpejtohej nëse ai nuk do të ishte në krye të qeverisë, Rama u përgjigj se këtë e vendosin shqiptarët dhe jo gazetarët.
Kryeministri iu referua mandatit të marrë në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një mbështetje të fortë për të udhëhequr vendin drejt anëtarësimit në BE.
“Nuk është diçka që e vendosni ju, këtë e vendosin shqiptarët dhe shqiptarët më kanë dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Europian. Kjo nuk ka ndodhur 10 vjet më parë. Vetëm vitin e kaluar ka ndodhur. Kështu që, edhe një herë, jeni shumë të mbytur në gënjeshtra dhe në gjysmë të vërteta që janë gënjeshtra edhe më të mëdha që janë përhapur për Shqipërinë”, deklaroi Rama.
Gjatë prononcimit, kryeministri u ndal edhe te çështje të tjera, përfshirë organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, investimin e grupit të Jared Kushner në Shqipëri dhe marrëdhëniet e Europës me Rusinë në kuadër të luftës në Ukrainë.
Sa i përket samitit të NATO-s, Rama konfirmoi se Shqipëria është projektuar si vendi mikpritës, por sqaroi se ende nuk ka një dakordësi për datën. Sipas tij, nëse do të ketë samit në vitin 2028, ai do të zhvillohet në Tiranë, ndërsa përjashtoi mundësinë që të mbahet në vitin 2027.
Për investimin e Jared Kushner, Rama mohoi pretendimet se një ishull në Shqipëri i është shitur apo dhënë me koncesion investitorit amerikan. Ai tha se negociatat vijojnë prej tre vitesh dhe se ishulli mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë, ndërsa synimi është që shteti shqiptar të jetë aksionar në projektin e mundshëm.
Ndërkohë, duke folur për luftën në Ukrainë, kryeministri kritikoi Europën për përqendrimin te mbështetja ushtarake dhe mungesën e një kanali të drejtpërdrejtë diplomatik me Rusinë. Sipas tij, Europa duhet të vijojë mbështetjen për Ukrainën, por njëkohësisht të rikthejë diplomacinë dhe dialogun me Moskën.










