Drejtoresha e Burgjeve viziton IEVP Fier, testohen kushtet për seancat online me GJKKO-në
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, ka zhvilluar një vizitë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, ku është takuar me stafin dhe është njohur nga afër me infrastrukturën, kushtet dhe organizimin e punës në këtë institucion.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve e cilëson IEVP Fier si një model të zhvillimit të sistemit penitenciar, me infrastrukturë dhe kushte që synojnë përmbushjen e standardeve evropiane, duke ndërthurur sigurinë me trajtimin dinjitoz, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve.
Vëmendje e veçantë, sipas njoftimit, i kushtohet programeve të rehabilitimit, mundësive të punësimit brenda institucionit, arsimimit dhe kurseve të formimit profesional, si dhe krijimit të ambienteve për ushtrimin e besimit fetar.
Gjatë vizitës janë testuar edhe kushtet teknike për zhvillimin e seancave gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Bashkëpunimi mes institucioneve për zhvillimin e këtyre seancave pritet të formalizohet përmes një Memorandumi Mirëkuptimi, me synimin për të rritur sigurinë dhe eficiencën në organizimin e proceseve gjyqësore.










