Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka dalë pas rreth 40 minutash nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ishte paraqitur mëngjesin e sotëm.
Pas daljes, ajo ka deklaruar për mediat se është thirrur në cilësinë e personit në dijeni dhe se ka dhënë dëshminë e saj, duke theksuar se për çështjen ekziston sekret hetimor.
Mila u shpreh se paraqitja në organet e drejtësisë lidhet me përgjegjësinë publike dhe politike, ndërsa hodhi poshtë akuzat dhe sulmet që, sipas saj, janë bërë ndaj saj nga politika e vjetër.
“Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf ti deklaroni, vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër.
Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim. Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time. Ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë, edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, deklaroi Mila.










