Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka rrëfyer telefonatën e fundit me kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se komunikimi mes tyre është shoqëruar me tensione dhe ofendime të rënda.
I ftuar në emisionin “Opinion”, ish-deputeti i Partisë Socialiste tha se Rama e ka telefonuar për shkak të dyshimeve se ai po nxit pavarësinë politike të Veliajt dhe largimin e tij nga ndikimi i kryeministrit.
“Unë, në një komunikim me kryeministrin, edhe sot me telefonatë, isha i mbushur me tension dhe me fyerje. Më telefonoi Rama për këtë shkak. Se mendon që unë jam nxitësi i pavarësisë së Erionit nga Rama. Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësi për mua si këshilltar politik, në kuptimin që e kam nxitur pavarësinë e Veliajt nga Rama. Në fakt, unë nuk jam këshilltari i vetëm ligjor i Veliajt, është një grup i madh”, deklaroi Ndreca.
Deklarata e avokatit vjen në një moment kur raporti mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj duket se është përkeqësuar.
Veliaj ka pretenduar se kryeministri, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i ka ushtruar presion për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe për të pranuar përfshirjen në protestat e flamengove.
Nga ana e tij, Toni Gogu ka konfirmuar se ka shkuar për të takuar Veliajn në paraburgimin e Fierit, por ka mohuar pretendimet e tjera të kryebashkiakut.










